Kërkesa nga Gjermania për infermierë e punonjës kryesisht në sistemin shëndetësor, ka bërë që mijëra të rinj të synojnë diplomimin në Fakultetin e Studimeve Profesionale në Durrës, në universitetin “Aleksandër Moisiu”, i cili rezulton i lidhur ngushtë me programet e punësimit brenda e jashtë vendit.

Me disa degë në shkencat mjekësore, teknologji automobilash, navigacion detar etj, studentët e këtij fakulteti janë të punësuar menjëherë pas përfundimit të studimeve. “Raporti i kuotave me pranimet në degët e shkencave mjekësore ka diferencë të madhe. Kuotat shkojnë deri në 300 studentë të rinj për degë, ndërsa aplikimet janë pesë herë më shumë për secilën degë”, deklaroi dekani i fakultetit Osman Metalla.

Studentët e shkencave mjekësore të infermierisë, mamisë e fizioterapisë, menjëherë pas diplomimit kanë synuar punësimin në Gjermani e në Angli.  

Infermierët dhe fizioterapistët e rinj janë dy prej specialiteteve për të cilat ka nevojë tregu ndërkombëtar i punës, duke bërë që edhe programet e studimit të këtij universiteti të përshtaten. Praktika profesionale e të gjithë studentëve kryhet në spitalin rajonal të Durrësit, ku falë bashkëpunimit me mjekët e spitalit, studentët dalin më të përgatitur”, tha Osman Metalla dekan i fakultetit.  

Një numër i madh mjekësh e infermierësh kanë aplikuar për të punuar në Gjermani gjatë dy viteve të fundit, pas kërkesës së lartë që ka tregu i punës atje për specialistët e kësaj fushe.

K.H.