I ftohti i kësaj fillim jave në Durrës u ka kujtuar të gjithë nxënësve, mësuesve dhe prindërve të vogëlushëve, se i ftohti ka mbërritur edhe në klasat e tyre.

Këtë mëngjes, klasat e nxënësve të ciklit të ulët kanë qënë të pangrohura dhe ky është një problem mjaft emergjent, pasi është grupmosha që nuk e duron dot të ftohtin.

Pothuajse në asnjë shkollë të Durrësit nuk ka ngrohje. Në pak klasa vetë fëmijët kanë financuar për blerjen e ndonjë ngrohëseje me korent, por edhe kjo mënyrë të ngrohuri nuk është përfundimtare.

Rrjeti elektrik i shkollave nuk e përballon dot që në të gjithë klasat të vendosen ngrohëset, pasi në shumicën e rasteve ai është i amortizuar.

Në të tilla kushte, të gjithë fëmijët mbajnë xhupat apo shallet veshur edhe në klasë.

Në orët e para të mësimit është shumë e vështirë të ngrohen klasat. E njëjtë situatë është edhe pasdite, kur zhvillojnë mësim klasat e turnit turn të dytë.

Problemi me ngrohjen është i vjetër në Durrës.

Ngrohja duhet të sigurohet nga bashkia, por fondet për blerjen e sobave janë praktikisht të pamjaftueshme. Një vit më parë u blenë disa soba.

Por çdo shkollë ka së paku nga 20 klasa dhe blerja e sobave të drurit për çdo klasë ka një kosto tepër të madhe, pasi edhe çmimi i metrit kub të drurëve të zjarrit është rritur mjaft në treg.

Ata që e vuajnë këtë situatë janë nxënësit e shkollave publike të qytetit të Durrësit. 

K.H.