Në sallën e Konferencave të universitetit "Aleksandër Moisiu" Durrës, ka nisur punimet Konferenca e Dytë Shkencore Ndërkombëtare me temë: "Menaxhimi i Traumës së Avancuar".

Të pranishëm në këtë konferencë të organizuar nga Departamenti i Shkencave Teknike Mjekësore, Fakulteti i Studimeve Profesionale, janë me dhjetëra studiues shqiptarë dhe të huaj. 

Në fjalën e saj, znj. Rektore e Universitetit, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski falënderoi organizatorët e konferencës dhe u shpreh se një ndër sfidat kyçe të UAMD-së është që veprimtaria kërkimore-shkencore, që kryhet në njësitë e Universitetit, të mbështesë zhvillimin e vendit dhe rritjen e cilësisë së arsimit të lartë. 

"Këtë vit në UAMD është themeluar Këshilli i Kërkimit Shkencor. Senati Akademik i Universitetit ka miratuar “Rregulloren e Këshillit të Kërkimit Shkencor” dhe po ashtu “Kriteret e vlerësimit të veprimtarisë kërkimore shkencore të personelit akademik dhe njësive të UAMD”. Vizioni ynë është i qartë: Universiteti i Durrësit të jetë lider dhe referencë në kërkim shkencor në nivel kombëtar dhe rajonal. Padyshim që kjo konferencë do të kontribuojë për realizimin e këtij vizioni", u shpreh prof. Sotirofski.

Konferenca do të zgjasë tri ditë dhe në të do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe atyre arsimore, mjekë, infermierë, stomatologë, fizioterapistë, si dhe ekspertë të tjerë të kësaj fushe. Në të do të ketë shumë diskutime e pikëtakime, me qëllimin për të qenë një ndër aktivitetet më të mëdha dhe më të arrita shkencore të këtij lloji në vend.