Nga sot, qytetarët e Tiranës dhe të zonave përreth nuk kanë nevojë të presin në radhë për të marrë një dokument. Madje, këto dokumente mund t’i marrin edhe në fundjavë. Njësoj si një bankomat, njësitë administrative të Tiranës ofrojnë shërbimin e-kiosk, i cili të jep mundësinë që në pak minuta të tërheqësh një certifikatë, leje apo të aplikosh për një kërkesë në Bashkinë e Tiranës.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte në Njësinë Administrative 5 të Tiranës, për të përuruar shërbimin e ri të e-kioskave, që do të funksionojë pranë të gjitha njësive administrative. “Jam shumë i lumtur që fillojmë një projekt pilot si e-kioska. Ndonjëherë harrojmë se koha që kalojmë në radhë, po mblidhet, është baras me 9 ditë në vit. Pra, 9 ditë ia kushtojmë radhës për të marrë një dokument, që fare mirë mund të printohet nga shtëpia, në faqen e internetit e-kioksa.al, ose mund të printohet në kioskat e shërbimit të kompjuterizuara, pranë njësive tona të qeverisjes vendore”, theksoi Veliaj.

E-kioska ofron shërbime 24 orë dhe në dy gjuhë: shqip dhe anglisht. Përmes kësaj teknologjie inovative, qytetarët përfitojnë shpejtësi dhe përmirësim të dukshëm të cilësisë të shërbimeve ndaj qytetarit, si dhe lehtësim të procedurave dhe automatizim të shërbimeve. Veliaj u shpreh se tashmë qytetarët do të mund të marrin në këto njësi 47 nga 70 shërbime që ofrohen nga Bashkia e Tiranës.

“Në pak minuta, pa pagesë, shumicën e këtyre aplikimeve, si aplikimi për hapësirë publike, për licencë taksie, për akses në rrugë, për aktivitete politike, protesta, mitingje, koncerte, pra më shumë se 60% e shërbimeve që ofrohen në sportelin e bashkisë, fare mirë mund të aksesohen përmes e-kioskës”, tha Veliaj.

Ky shërbim funksionon duke u identifikuar përmes skanimit të letërnjoftimit nga pajisja përkatëse. Më pas qytetari zgjedh shërbimin e dëshiruar dhe e-kioska printon dokumentin.

Në funksion të informimit të qytetarëve mbi informacionet/shërbimet që ofron sistemi e-kiosk është krijuar gjithashtu faqja web, e cila mund të aksesohet përmes adresës: https://ekioska.al/. Sistemi e-Kiosk është ndërtuar në mënyrë të atillë që në të ardhmen të ketë mundësi të zgjerimit të shërbimeve.