E kthyer tashmë në një traditë, shkolla e mesme profesionale "Hysen Çela" në Durrës, ka organizuar panairin "Me dyer të hapura". Gjatë aktivitetit, nxënësit shfaqën punimet e tyre sipas degëve në të cilat studiojnë në këtë gjimnaz.

E menduar si një mënyrë për të prezantuar mundësitë që ofron ky institucion, drejtoresha Blerina Dervishi ndër të tjera ka dhe një thirrje për të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare në Durrës.

"Shumë afër është shtatori ndaj iu bëj thirrje të gjithë fëmijëve të shkollave 9-vjeçare të drejtohen drejt arsimit profesional."

Veprimtaria festive u çel me sfilatën e veshjeve të larmishme të krijuar nga vetë nxënësit e degës së Konfeksioneve, mbështetur nga mësueset e lëndëve profesionale.

Disa nga vajzat pjesëmarrëse të cilat parakaluan në tapetin e kuq në oborrin e shkollës, ndajnë me ndjekësit e "DurrësLajm" emocionet e sfilatës.

Të ftuar special ishin përfaqësuesit e bizneseve në qytetin bregdetar si dhe prindër të nxënësve të cilët njihen me mundësitë e punësimit që iu ofrohen fëmijëve të tyre, në bazë të bashkëpunimit që ka shkolla profesionale "Hysen Çela".

Në Durrës dhe jo vetëm, janë me dhjetra të rinj dhe të reja që janë orientuar drejt arsimit profesional pasi kështu janë më afër tregut të punës në çdo lloj sektori, privat apo shtetëror.

Me shpresën se në një të 'nesërme' të afërt do të jenë pse jo dhe sipërmarrës në një fushë biznesi apo profesionistë të vërtetë, nxënësit kanë zgjedhur të mësojnë një profesion të caktuar, bazuar edhe nga preferencat e tyre.

G.D.