Carmine, një ish-zejtar italian, tashmë në pension, ishte prej kohësh në kërkim të një vendi ku të kalonte në qetësi pleqërinë. Pasi ka parë disa vende dhe ka marrë në shqyrtim disa mundësi, ai zgjodhi të vendosej në Shqipëri, e më saktësisht në Durrës.

Që nga dita kur mori vendimin, kanë kaluar 3 vite. Tashmë Carmine dhe gruaja e tij jetojnë në një shtëpi në breg të detit, ku mund të shfrytëzojnë vijën e gjatë bregdetare për të bërë shëtitje të gjata gjatë mëngjeseve.

Kjo është historia e Carmine-s, që në vend të Canarie-s preferoi Durrësin. Kur pa shtëpinë ku jeton prej 3 vitesh në Durrës, ai nuk pati më dyshime në zgjedhjen e tij.

“Zgjodha Shqipërinë, sepse kostoja e jetesës është shumë më e lirë se në Itali, populli shqiptar është shumë mikpritës dhe nga ana tjetër është shumë afër me Italinë”, rrëfen ai për një medie italiane.

“Bëjmë një jetesë të qetë, fqinjët janë gjithnjë të gatshëm të na ndihmojnë, ndihemi të respektuar (disa herë në autobuz të rinjtë më kanë liruar vendin, gjë që nuk ndodh tek ne). 100 € këmbehen me 13500 lekë, dhe me kaq para mund të blesh shumë më tepër gjëra se në Itali. Nga ana tjetër, pensionet nuk taksohen në Shqipëri dhe kjo është një gjë shumë e mirë”, tregon Carmine.

Ditët e tij rrjedhin të qeta në Durrës dhe fakti që atij dhe bashkëshortes i pëlqen shumë ecja, plazhi i Durrësit u ofron një mundësi të artë.

“Aty ku unë rri kemi 5-6 km plazh në dispozicion. Sidomos në dimër, e gjithë hapësira është e lirë dhe bëjmë xhiro buzë detit”.

I pyetur nga gazetari Italian, nëse e mendon rikthimin në Itali Carmine tregohet mjaft i vendosur në këtë drejtim.

“Nuk e mendoj aspak, kam zbuluar një mënyrë të jetuari që u përshtatet mjaft mirë nevojave të mia”, thotë ai.

Intervistën e plotë të pensionistit italian mund ta lexoni këtu: https://www.voglioviverecosi.com/carmine-un-ex-artigiano-in-pensione-che-ha-scelto-di-trasferirsi-a-durazzo-albania.html

M.B.