Është përkujtuar në Durrës 79 vjetori i rezistencës ndaj pushtimit Italian. Në ceremoni merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, kreu i qarkut Alfred Mullaraj, prefekti Roland Nasto, deputetët Klodiana Spahiu dhe Rolant Xhelilaj, veteranë dhe shumë qytetarë durrsakë të cilët kanë bërë homazhe pranë bustit të Mujo Ulqinakut, ku kanë vendosur edhe kurora me lule.

Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako u shpreh se Shqipëria ishte një vend i pasur me gra e burra idealistë dhe ata ishin krismat e para antifashiste në Evropë, ndërkohë që e gjitha bota rrezikohej nga fashizmi.

Sipas kryebashkiakut Dako kjo datë shënon edhe aktin më madhor e patriotik në emër të lirisë, të asaj lirie që u arrit me gjak e sakrifica nga ata bij e bija që, duke bërë detyrën ndaj atdheut, ngritën lart dinjitetin kombëtar, ruajtën pavarësinë e tij dhe e rreshtuan Shqipërinë përkrah aleancës antifashiste.

Fjalën e rastit në këtë ceremoni përkujtimore e mbajti drejtori i arsimit, kulturës, rinisë, sporteve dhe komuniteteve fetare në Bashkinë e Durrësit Adrian Gurra.

Mujo Ulqinaku dhe të gjithë patriotët e tjerë nga Durrësi por edhe nga qytete të tjera ishin të parët që e pritën me pushkë pushtuesin italian dhe në këtë luftë ra hero Ulqinaku por edhe dëshmorë të tjerë. 

Në rezistencën kundër nazifashistëve u bashkuan në mënyrë masive banorët durrsakë dhe patriotë të ardhur nga çdo anë e vendit. 

Në këtë ceremoni u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri edhe jetën e tyre për lirinë e vendit.