Tregtarë të tregut industrial në Durrës janë hedhur në një grevë një orëshe mëngjesin e sotëm. Shkak i grevës ka qenë konkurenca e pandershme që po ju bëhet tregtarëve të licensuar nga ambulantët që kanë tejmbushur rrugët e bulevardet në Durrës.

Tregtarët, të cilët i paguajnë taksat rregullisht, deklarojnë se si rezultat i rritjes së frikshme të numrit të tregtarëve ambulantë, ata që paguajnë detyrimet janë të falimentuar.    

Sipas Myslym Cokut, kreut të shoqatës së tregtarëve ambulantë, numri i tregtarëve informalë arrin sa dyfishi i tyre, rreth 800 persona që kanë zënë trotuaret e Durrësit.

Lidhur me problemet aktuale të këtij tregu, protestuesit kanë shprehur shumë shqetësime e pakënaqësi që ata kanë ndaj administratës shtetërore, që sipas tyre qëndron indiferente.  

Tregtarët e tregut industrial të qytetit të Durrësit janë hedhur disa herë në protesta për zgjidhjen e problemeve te tyre, kur vërejnë se nuk kanë asnjë mundësi tjetër për të zgjidhur problemet me të cilat përballen në aktivitetin e tyre. Deri tani kërkesat e tyre kanë rënë në veshin e shurdhët të autoriteteve vendore. 

K.H.