Rektorati i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, më 22 maj 2018, organizoi në Sallën e Konferencave ceremoninë për dhënien e titullit “Doctor Honoris Causa” për Prof. Dr. Franz Schausberger, Zv. Kryetar i Grupit të Komisionit Europian dhe Fraksionit të Partive Popullore në Parlamentin Europian për Integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës në BE dhe President i Institutit të Rajoneve të Europës, me motivacionin: “Për kontributin e tij të shquar në studimet historike europiane dhe ekspertizën shkencore për integrimin e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perendimor në Bashkimin Europian dhe  kontributin e fuqishëm që Shqipëria dhe rajoni të shpejtojnë procesin e  këtyre integrimeve”.

Në këtë veprimtari merrnin pjesë anëtarë të Senatit Akademik, pedagogë dhe studentë të universitetit “Aleksandër Moisiu”, profesorë dhe studiues nga trevat.

Rekomanduesit në Senatin Akademik për dhënien e titullit Honoris Causa për Prof. Schausbergerin, Prof. As. Dr. Enver Bytyçi dhe Prof. As. Dr. Andon Kume vlerësuan lart figurën dhe veprën e tij. Ndër të tjera, ata u shprehën se në veprimtarinë e tij Prof. Schausberger ka shënuar suksese dhe arritje të shkëlqyera si politikan, drejtues i lartë i shtetit në Landin e Salzburgut, si reformator në fushën e arsimit, si president i Universitetit të Salzburgut, si studiues dhe historian.

Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Ksenela Sotirofski, u shpreh se “ky titull adresohet për kontributet e çmuara të zotit Schausberger në fushën e shkencës dhe politikës, si dhe për krijimin e lidhjeve të tij të ngushta me Shqipërinë dhe shqiptarët, veçmas në çeshtjet e integrimit europian”.

“Si për rastësi, titulli jepet në kohën kur Komisioni Europian ka rekomanduar hapjen e bisedimeve me Shqipërinë për anëtarësim, gjë për të cilën Prof. Schausberger ka dhënë kontributet e tij të vyera, në cilësinë e kryesuesit të Grupit Negociator të BE-së për anëtarësimin e Ukrainës dhe vendeve të Ballkanit Perendimor në BE. Por unë nuk besoj në rastësitë. Gjithçka ndodh për një arsye. Në këtë kuptim, uroj që në qershor Shqipëria të marrë të drejtën e negocimit të pranimit në Union”, u shpreh znj. Rektore.

Ajo shtoi se titulli vendoset në themelet të vijimit të bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve shkencore dhe universitare në Austri dhe më gjerë në vendet e BE-së, si dhe e bën Universitetin më të përgjegjshëm për të rritur performancën në fushën studimore, shkencore e universitare.

Prof. Schausberger u shpreh i ngazëllyer për nderin e bërë për të qenë pjesë e familjes së UAMD-së dhe shprehu gatishmërinë që të bëhet promotor i vlerave që universiteti shpalos në Austri dhe më gjerë.

“Falënderoj znj. Rektore dhe Senatin Akademik për këtë titulli nderi. Një falënderim të veçantë për studentët e pranishëm në këtë ceremoni, të cilëve ju premtoj se nuk do rresht së punuari që sa më shpejt të jenë pjesë e familjes së madhe europiane.”

Prof. Dr. Franz Schausberger është anëtar i disa organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare. Nga viti 1996 është anëtar i Komisionit Europian për Rajonet, ndërsa më 2006-ën është zgjedhur zv. president i Komisionit të Partive Popullore të Europës për Rajonet Europiane. Në Tetor të vitit 2016 ai u emërua nga Komisioni Europian si këshilltar i posaçëm për zgjerimin me fokus të veçantë Ballkanin dhe Ukrainën.

Veprimtaria shkencore e Prof. Dr. Franz Schausberger shtrihet në fushën e filozofisë dhe historisë, ndërkohë që ai ka vënë në dispozicion të politikave të integrimeve europiane idetë dhe vizionin e tij shkencor e politik.

Prof. Franz Schausberger ka ndihmuar vitet e fundit me shumë pasion integrimin e vendeve të Ballkanit Perendimor në Bashkimin Europian. Shqipëria dhe Kosova kanë qenë për të ndër vendet prioritare të ndihmës në rrugën e integrimit. Veprimtaritë e tij në kuadër të Nismës së Berlinit janë mbresëlënëse. Ka organizuar disa seminare, konferenca, takime, tryeza të rrumbullakta, duke evidentuar problematikat dhe rekomanduar zgjidhjet e mundshme për përshpejtimin e këtij integrimi.