Prej dy ditësh familjarët e Xhuljeta Gjekës, 21-vjeçares nga fshati Mujalli i Fierit që humbi jetën në rrethana ende të paqarta, enden dyerve të spitalit e policisë për të kërkuar drejtësi.

Ata akuzojnë mjekët për neglizhencë ndaj vajzës së re që humbi jetën me të mbërritur në spital. Pak orë pasi mjekët i kishin bërë një serum dhe e kishin përcjellë drejt banesës duke e qetësuar se ishte prekur nga ndonjë virozë e stinës.

Pilo Gjeka, gjyshi i vajzës së re mes lotësh tregon se vajza ka shkuar në spital me temperaturë shumë të ulët. Pasi ka bërë një serum, thotë gjyshi, është larguar për në banesë. Mjekët i kanë thënë të atit të vajzës, se shkak për këtë situatë ishin virozat e stinës, megjithatë gjendja e saj nuk është përmirësuar.

"I uroj popullit shqiptar të mos kenë fatin e mbesës time veçanërisht populli i Fierit me ata mjekë që kemi. E kam çuar çupën në orën 3 në spital pasi u ftoh në trup, nga 37 i shkoi në 35 temperatura e më pas në 33,5. Ata ia matën me termometër që s’punonte, e nxorën 36, 5. Unë bërtisja doktoreshë çupa nuk është mirë, po më ftohet, këtu gabuam ne si prindër, e nisën në shtëpi",- thotë gjyshi mes lotësh.

Duke akuzuar mjekët, gjyshi thotë: "Si nuk më solli njëri një barelë, bërtisja o maskarenj, çupa më iku në kraharor, në duart e mia, më bëri hatanë. Shëndetësia ma mori në qafë çupën",- thotë gjyshi teksa shpërthen në të qara.

Nevila Shuke, drejtoresha e spitalit rajonal në Fier duke shprehur ngushëllimet për rastin deklaroi se spitali ka ngritur një grup pune në lidhje me rastin si dhe pritet dalja e autopsisë për të sqaruar këtë rast./BalkanWeb