Departamenti i Shkencave Teknike Mjekësore në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës organizoi workshop-in me temë “Kujdesi Paliativ Holistik”.

Në fjalën hapëse të aktivitetit të mbajtur të mërkurën më 31 janar, koordinatori Indrit Bimi, pasi falënderoi të pranishmit, nënvizoi faktin që “duke punuar shohim mundësi të tjera për të rritur sinergjinë në proceset akademike dhe përvojat e përbashkëta, ç’ka do të ndihmojë në përftimin e shërbimeve më të mira për pacientët”. “Kujdesi paliativ do të vijojë të ketë vëmendje të shtuar, veçmasi në Europë, e cila po njeh shifra në rritje të plakjes së popullsisë”, u shpreh ndër të tjera ai.

Ndërsa Dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale, Prof. As. Dr. Osman Metalla, theksoi “se takime si workshop-i i parë mbi kujdesin paliativ janë të rëndësishme sepse bëjnë bashkë personalitete nga vende të ndryshme, me përvoja dhe ekspertizë të ndryshme në fushën e kujdesit paliativ holistik”.

Ai gjithashtu falënderoi Presidentin e Shoqatës së Kujdesit Paliativ në Hungari (HHPA), z. Miklos Lukacs për bashkë-organizimin e workshop-it si dhe gatishmërinë për të nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes institucionit që ai drejton dhe Departamentit të Shkencave Teknike Mjekësore në UAMD.

Më pas, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Teknike Mjekësore, Prof. Dr. Pirro Prifti dhe z. Lukacs firmosën marrëveshjen, ku të dy palët angazhohen në bashkëpunimin shkencor, akademik dhe shëndetësor. Ndër të tjera marrëveshja përfshin: angazhimin në projekte të përbashkëta kërkimore dhe projekte pilot; shkëmbime të personelit akademik dhe shëndetësor, si dhe shkëmbimin e përvojës profesionale, akademike, dhe klinike në kujdesin paliativ.

Në kuadër të workshop-it, përveç folësve nga Shqipëria, mbajtën ligjërata edhe ekspertë ndërkombëtarë, përfshirë Polly Masanec nga SHBA, Judith Schafer nga Hungaria, Nicoleta Mitrea nga Rumania, Giovanni Bove dhe Emiliano Giampà nga Italia. Fokusi i ligjëratave të tyre ishte rreth mënyrave të trajtimit të personave që vuajnë nga sëmundje që janë kërcënuese për jetën, të tilla si: kanceri, çrregullimet progresuese polmonare, neurologjike, HIV/AIDS etj.