Nga PËRPARIM KABO

Kur Paul Percy Harris thirri për drekë dy miqtë e tij dhe në atë ditë shkurti të vitit 1905 vendosën të krijonin një klub që, për shkak se lëvizi nga një vend në një tjetër për të realizuar takimet, u quajt Rotary, ai dhe ata, as që e dinin se Shqipëria ishte një vend në gadishullin e Ballkanit me një popullsi me histori të lashtë që nga koha e mugëtirave pellazgjike. Se ai vend në Mesjetë kishte një hero Atlet të Krishterimit si Gjergj Kastriot Skënderbeu. Ata nuk mund ta dinin, se atje në ato treva flitej një gjuhë nga më të vjetrat, se në malësitë e thella vepronte e drejta zakonore dhe kishte kode që afronin shumë me të Drejtën Romake. Dhe nuk kishin si ta dinin. Shqipëria asokohe ende nuk ishte shtet i pavarur. Për pothuaj 2000 vite, gati rreth në 80 breza antropologjikë, ajo kishte qenë nën tre perandori, Perandorinë Romake, Bizantine dhe atë Turko-Osmane. Ishte krijuar te ata njerëz një lloj mentaliteti “imperial” sjelljeje që ravijëzonte tipin njerëzor si perandorak në qendrat imperiale ku shërbehej dhe si provinciale në atdheun nativ. Si edhe shprehet studiuesi anglez, diplomati Julius Norwich në librin e tij me titull “BIZANTI – ngritja dhe rënia e një perandorie”, magjia e bizantinizmit lidhur me vendndodhjen mes Perëndimit dhe Orientit ishte… “Një trup romak, një mendje greke, një shpirt mistik oriental”. Kështu u gatuam edhe ne shqiptarët në tipologjinë tonë antropologjike, por më shumë mbeti i konservuar si nënshtresë bazike paganizmi herë i butë e herë i ashpër e shpagues. Besimet e tjera monoteiste që erdhën përmes konvertimit, duke qenë se kishim të bënim me të njëjtën popullsi ndaj dhe krijuan një kohezion ku shumësia e besimeve nuk shkaktonte konflikte dhe intolerancë. Ishim dhe jemi një popull me bashkëjetesë dhe respekt të ndërsjellë fetar. Kjo është një dhuratë e kohërave, por kurrsesi e arritur lehtë. Është paguar me jetë njerëzish dhe me sakrifica jo të pakta. Forcat tërheqëse dhe ato shtytëse në krahina dhe zona të ndryshme të vendit janë ndeshur, duke përvijuar nga urrejtja deri te tragjizmi. E së fundmi triumfoi kohezioni kombëtar. Një arritje që duhet mbrujtur edhe sot, ku në kushtet e një shoqërie globale të hapur dhe që karakterizohet nga lëvizja e njerëzve, mosmbajtja e identitetit është e modës; ndërsa symbyllja e shteteve apo qeverive të tyre ndaj të larguarve është një mënyrë sjelljeje e kudondodhur, që rrezikon ikjen pa kthim të popullsive migratore. Kalvari i popullit tonë ishte i gjatë, i vështirë dhe me shumë sfida. Fatkeqësisht, demokracinë institucionale e takuam vonë, madje shumë vonë, pikërisht në hyrje të viteve ‘90, me rënien e perdes së hekurt dhe shembjen e murit të Berlinit. Si edhe është shprehur një nga protagonistët e tranzicionit demokratik në një rast; “Portat u hapën, por ne rrugën nuk e dinim”. Shoqëria jonë do të duhej të ndërtonte ‘Rule of Law’, shtetin që me ligj do garantonte liritë dhe të drejtat e njeriut, si dhe do të ndërtonte një realitet me klimë demokratike tolerance dhe bashkëjetese në larmishmëri kulturore e politike, ku do të konkurrohej me programe dhe me alternativa. Duhej ndërtuar shoqëria e lirisë, si më e madhja sfidë, po qe se mbahen në vëmendje disa veçori, si: Kushtet historike; Mungesa e gjatë e traditës demokratike; Prapambetja ekonomike e trashëguar; Lufta e klasave aq shkatërruese gjatë shoqërisë komuniste; Izolimi i thellë nga bota; Mbyllja e institucioneve të kultit fetar dhe ndalimi i ushtrimit të së drejtës së besimit; që kishin ndodhur nën regjimin komunist.

* * *

Duke mbajtur parasysh këto kushte dhe rrethana, bëhet e qartë pse kuptimi apo vlerësimi për atë që quhet shoqëria civile në hyrje të viteve ‘90 për shumëkënd mund të ishte e padëgjuar, dhe për masën e gjerë të njeriut të zakonshëm ishte diçka shumë e largët, e pavlerë, sepse mendohej se atje s’ka punë, bukë, drita apo pasuri. Është një dilemë e madhe edhe sot pas 27 vitesh tranzicion në shoqërinë shqiptare, nëse duhet të punojmë për të ndërtuar një shoqëri me më shumë liri, apo një shoqëri që të ndihmon të shpiesh në shtëpi një copë më të madhe buke?!

Ato gra dhe ata burra, djem e vajza të rinj që iu futën punës për të ndërtuar shoqërinë civile edhe në Shqipëri, u grishën nga liria, nga nevoja për ngritjen e oponencës qytetare, nga orientimi për mendimin e lirë, nga domosdoshmëria që shteti duhet mbrojtur edhe në demokraci, që të mos dehumanizohet dhe për pasojë ta harrojë njeriun në nevojë e të bëhet palë dhe ortak vetëm me tregun, me biznesin dhe me oligarkinë.

Pas 25 vitesh të Rotarit në Shqipëri, ne kemi të drejtën dhe detyrimin të themi se ishte një veprim i duhur dhe në kohën e duhur ai që u ndërmor, që Rotary, kjo organizatë mbarëbotërore të hidhte farën edhe në Shqipëri. Mirënjohje atij personi që i pari e tha këtë gjë edhe për vendin tonë. Në një farë kuptimi ai është Paul Harrisi shqiptar. Ishte ish-ambasadori ynë në Itali, zoti Dashnor Dervishi që e kreu këtë veprim të parë për ta sjellë Rotary-n në Shqipëri. Një përpjekje që ishte bërë qysh në kohën e Mbretërisë Shqiptare nuk kishte zënë rrënjë. Ndërsa periudha komuniste kishte organizatat e masave, rripat e transmisionit që lidhnin popullin me partinë, – si edhe thuhej në atë periudhë.

Hap pas hapi, shumë njerëz seriozë, aktivë dhe me dëshirë e energji pozitive prej vullnetari, iu bashkuan kësaj nisme. Ata ishin mjekë, diplomatë, pedagogë, shkencëtarë, e më tej edhe biznesmenë. Sot pas 25 vitesh, është krenari të pohosh se në Shqipëri ka 10 klube rotariane, me rreth 250 anëtarë gjithsej. Ka tashmë të rinj që janë afruar dhe punohet me objektiv për të përfshirë edhe fëmijët, me qëllim për një jetë aktive të organizuar në shërbim të një shoqërie të shëndetshme e dinamike. Komunitetet e paorganizuara krijojnë skarcitete shoqërore, dhe njeriu në këto rrethana mund të humbë drejtpeshimet qytetare shumë lehtë, duke rënë pre e vesit, inaktivitetit, deri edhe krimit.

Sot “Rotary International” është i shtrirë në gjithë botën, me një rrjet organizatash në 200 vende. Eshtë krenari dhe përgjegjësi njëherësh që edhe Shqipëria bën pjesë në këtë hartë rotariane, me klube me një shtrirje nga Korça deri në Shkodër. Edhe shqiptarët janë veprimtarë rotarianë, që nga Gjirokastra deri në Prishtinë. Ky është një tregues që jo vetëm elitat shqiptare, por edhe masa e gjerë njerëzore e do rotarianizmin, e do lirinë dhe është e përkushtuar për zhvillimin, prosperitetin si dhe për një të ardhme më të mirë. Në këtë përvojë prej dy dekadash e gjysmë, është krejt e përligjur që vlerat universale rotariane si: Bashkimi i liderëve të biznesit dhe profesionistëve me qëllimin fisnik për të ofruar shërbime humanitare, për të inkurajuar standarde të larta etike në të gjitha profesionet, por dhe për të çuar përpara vullnetin e mirë dhe paqen në mbarë botën, të jenë prezente edhe te rotarianët shqiptarë.

Rotary është një organizatë jopolitike dhe josektare, e hapur për të gjithë njerëzit pavarësisht nga raca, ngjyra, besimi, feja, gjinia, ose preferenca politike. Nëse sot numërohen rreth 35.000 klube anëtare në mbarë botën, ku në këtë numër janë të përfshirë edhe klubet shqiptare. Sot në botë ka rreth 1.5 milionë individë të quajtur rotarians, të cilët janë bashkuar me këto klube. Në këtë bashkësi globale të paqes dhe aktivizmit shoqëror, janë dhe burrat e gratë që festuan 25-vjetorin e të parit club Rotary në Shqipëri, në maj 2017. Diçka më shumë se një vit më parë, Presidenti i Rotary-t Ndërkombëtar, zoti Garry K. Huang vizitoi Shqipërinë, çka përkoi me themelimin e Klubit Rotary të Shkodrës. Ky ishte i katërti President i Rotarit Ndërkombëtar që vizitonte Shqipërinë.

Takimet dhe bisedat me të, idetë që shkëmbyem, dhe këshillat që ne morëm ishin me shumë vlerë. Në këtë përvjetor ne përshëndesim të gjithë rotarianët kudo në botë, ata që kanë eksperiencë të gjatë dhe ata që sapo janë përfshirë në këtë organizatë mbarëbotërore. Mesazhi që ne iu dërgojmë atyre dhe presidentit të radhës, zotit John F. Germ, është: “Jemi krenarë që jemi rotarianë. Shqipëria do të shndërrohet në një vend me më shumë liri dhe zhvillim nëse materializon gjerësisht edhe parimet rotariane.”

Nëse dikush që nuk e njeh Shqipërinë e sotme të viteve të demokracisë dhe tenton që ta bëjë përmes rrjeteve sociale online apo përmes leximeve do të marrë goxha informacion. Por jo të mjaftueshëm. Duhet të vish këtu. Shqipëria është një vend që duhet vizituar për t’ia njohur të shkuarën dhe të sotmen, arkeologjinë dhe historinë, traditën dhe ritualin, gjeografinë dhe mentalitetin, zakonet dhe marrëzitë. Ky vend duhet të vizitohet; vetëm në këtë mënyrë do të mund të njihesh me popullsinë dhe problemet e breznive të reja, me jetën institucionale dhe atë politike, me natyrën dhe traditën, me kontributet dhe peripecitë në rrjedhat historike. Por mendoj se Shqipëria duhet vizituar edhe për një arsye që realisht bën arsye. Për të takuar rotarianët shqiptarë, këto gra dhe këta burra seriozë, të përkushtuar, impenjativë dhe shpirtlirë. Rotarakët dhe veprimtaria e tyre në këtë periudhë çerekshekullore është e madhe, e vlefshme, por edhe modeste dhe e pazhurmë. Vaksinimi i fëmijëve të vegjël diku para 20 viteve kundër hepatitit siguroi që sot të kemi të rinj të shëndetshëm. Nëse 50 mijë fëmijë shqiptarë të Kosovës u ulën në ditën e parë të shkollës dhe hapën abetaren shqip duke lexuar ABC-në, mund të mos e dinin se kush e kishte bërë atë dhuratë bujare dhe me vlera kombëtare, por sot që janë rritur e maturuar, dinë që ata libra që hapën dyert e jetës për ta, ishin dhuratë e rotarianëve nga Shqipëria. Nëse sot në universitete të botës ka studentë shqiptarë të ekselencës që ndjekin studimet universitare dhe postuniversitare me mbështetjen financiare të Rotarit, ky është një tregues që rotarianët shqiptarë punojnë pa u ndalur për të sjellë një të ardhme më të mirë për vendin dhe më shumë paqe për shoqërinë globale. Nëse qyteteve iu shtohet hijeshia me pemët e mbjella atje, janë dhe rotarianët me kontributet e tyre modeste. Nëse njerëzit në nevojë kërkojnë një derë të hapur, ajo është dera e rotarianëve që kontribuojnë me mbështetje.

Ne rotarianët jemi shembulli pozitiv, ne jemi modeli që duhet konsideruar edhe nga shteti dhe institucionet e tjera. Madje duhet të merremi shembull edhe nga operatorët e shoqërisë civile. Ndodh kështu, sepse motoja jonë e punës dhe motivi është ai universali për të gjithë rotarianët. “Shërbimi është mbi interesat vetjake” dhe “fitimi është më i madh kur shërben më mirë”. Ambienti ynë i hapur miqësor tolerant dhe bashkëpunues është shembull edhe për politikën zyrtare, që shpesh vuan nga konflikti dhe ndarja. Mënyra se si ne funksionojmë, duke ndërruar personin në drejtimin një herë në vit në mënyrë demokratike, është një shembull kuptimplotë për të gjithë shoqërinë. Me keqardhje ne vëmë re se jo vetëm në organet shtetërore, por edhe në operatorët e shoqërisë civile, drejtuesit e tyre, sa hipin në poste, më shumë mendojnë dhe përpiqen të mbeten atje gjatë, mundësisht sa më gjatë, sesa të realizojnë punë të dobishme dhe të bëjnë realitet premtimet e shpallura më herët. Rotarianët në të gjithë Shqipërinë, klubet më të vjetra, por edhe ato më të rejat, janë të tillë që gëzojnë respektin e gjerë të komunitetit. Një sjellje e tillë nuk është thjesht shprehje e konformizmit për shkak të edukatës civile. Respekti që rotarianët gëzojnë kudo është i lidhur me personalitetin e secilit prej nesh, me aktivitetin dhe dinjitetin njerëzor, me frymën solidare dhe me përkushtimin qytetar, ka të bëjë tek e fundit me sjelljen individuale, por edhe atë komunitare të rotarianëve. Në këtë përvjetor është rasti dhe vendi të themi edhe diçka tjetër. Historia e Shqipërisë, e vjetra dhe e reja, do ishte jo e plotë, nëse rotarianët nuk do të kishin ngritur folenë edhe në vendin e shqiponjave. Ne jemi krenarë për veten dhe familjet tona, por ne jemi krenarë gjithashtu se qytetet ku janë klubet tona, e kanë në nderin e tyre si dhe një vlerë të shtuar të CV-ve, që atje veprojnë klubet rotariane. Edhe Shqipëria e Kosova janë krenare që shqiptarët janë misionarë të rotarianizmit në trevat e tyre.

Gjuhët zyrtare të rotarianizmit janë disa, dhe konkretisht: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, japonisht, koreane, portugeze dhe spanjolle. Ne në këtë përvjetor të 25-të të Rotarit shqiptar duam të themi me zë të lartë: Rotarianizmi flet edhe shqip. Ky fakt i bën nder “Rotary International”, na bën nder edhe neve. Kur udhëhiqesh nga liria dhe humanizmi, sado e vështirë të jetë situata dhe komplekse të jetë gjendja, njeriu e gjen motivin. Ashtu si bëri Paul P. Harris kur vendosi të themelonte këtë klub. Historia tashmë është e hapur. Ne udhën e dimë, na mbetet vetëm të ecim pa u ndalur! /GSH/