– Fragmente nga kujtimet e ish-togerit perandorak rus, major i monarkisë shqiptare dhe gjeneral-brigade i ushtrisë italiane, Lev Pavloviç Sukaçiov (1895-1975)

Nga Thanas Mustaqi

Po botoj fragmente të kujtimeve të një majori rus të ushtrisë mbretërore shqiptare, L. P. Sukçiov (transkriptimi anglisht: Sukachev), që flasin për krijimin e një detashmenti ushtarak prej 108 emigrantësh rusë në Jugosllavi, që ndihmuan në rrëzimin e Fan Nolit, në dhjetor 1924.
Me interes historik është fragmenti i fundit i kujtimeve, ku flitet për momentin e zgjedhjes së Ahmet Zogut si President i Shqipërisë nën kërcënimin e armëve të mercenarëve të huaj.

FORMIMI I DETASHMENTIT 
Së bashku me Miklashevskin filluam në rrugët e Beogradit, të rekrutonim rusë, në mbrëmje e po asaj dite në detashment ishin 108 veta, dhe shëndoshë e mirë udhëtuam për në Shkup.
Nga atje kaluam në këmbë në Dibër, ku më 16 dhjetor [1924] u formua përfundimisht detashmenti rus… Unë u caktova komandant toge. Gjithsej në detyra oficerësh ishim 15 veta, me armatim, të përbërë nga tetë mitraloza italianë “Fiat” dhe 4 topa malorë bronzi austriakë, që më kujtonin rininë e hershme të perandorit Franc Jozef.

DY TREKËMBËSHAT E PESHKOPISË
Filloi marshimi. Pas kalimit të kufirit shqiptar, më 17 dhjetor 1924, hasëm në qëndresën e armikut në rrethinat e Peshkopisë. Duke mësyrë nga fshati i Blatës, hymë me luftë në qytet, pasi kapëm rob komandantin e garnizonit Ali Reza, pesë oficerë, 400 ushtarë të këmbësorisë të rregullt, shumë të vullnetarë, një top malor (më i “i ri” se katër obusët tanë) me numërorin, kuajt dhe ngarkesën, katër mitraloza, tri mortaja, shumë armë dhe predha.
Menjëherë liruam nga burgu i qytetit kundërshtarët e pushtetit të peshkopit Fan Noli [edhe ne vitin 1964, kur u shkruan këto kujtime, autori e shkruan emrin e peshkopit shqiptar kryeministër “Fanoli”, në përkthim respektohet trajta shqip “Fan Noli”], që ishin atje. Në sheshin kryesor ishin ngritur dy trekëmbësha. Sigurisht, ne ishim kureshtarë të dinim se cilët do të vareshin: sipas disave – shqiptarë, mbështetës të Ahmet Zogut; ndërsa të tjerë sqaronin se në ta duheshin varur pjesëtarë të detashmentit tonë…
Atje, në Peshkopi, u bashkua me ne detashmenti i Gilardi-t…

PARADA
Pra, fitorja jonë e parë, marrja e Peshkopisë, mbeti prapa. Më 18 dhjetor, Ahmet-beu dhe shpura e tij erdhën këtu. Po atë ditë, në orën 10 e 30 minuta të mëngjesit, mbreti i ardhshëm i Shqipërisë mori pjesë në një paradë, në krye të së cilës parakaloi detashmenti ynë rus. Ky ishte triumfi ynë i parë, por kurrsesi i fundit në territorin shqiptar. Banorët e qytetit, si dhe shqiptarët e lokaliteteve të vendosura afër dhe tashmë “të çliruar” nga pushteti i Fan Nolit, u mblodhën turma-turma nga koloneli Cena-beg Kryeziu për të përshëndetur Zogun dhe detashmentin rus….

DAFINAT
Ëndrra e Zogut u realizua në Krishtlindjet e vitit 1924. Tirana dhe pushteti i Fan Nolit ranë. Më 26 dhjetor detashmenti rus hyri në kryeqytetin e Shqipërisë. Në hyrje të qytetit, na priti një orkestër ushtarake, rrugët e zbukuruara me flamuj ishin mbushur me njerëz, që na përshëndesnin me gëzim. Në të gjitha anët dëgjohej një “Roft!” [shqip në origjinal] e fuqishme.
Për një kohë mjaft të gjatë detashmenti ynë nuk u mor me asgjë tjetër veçse me mbledhjen e dafinave të fitimtarëve. Na vendosën përkohësisht në një shtëpi të madhe, korridoret e së cilës pas disa javësh ishin mbushur me shishe vodke boshe, saqë ishte e vështirë të kaloje…

SHAMIA E BARDHË
Ndërkohë, Ahmet-beu u angazhua në çështjet shtetërore dhe po përgatitej në ethe për të ndryshuar statutin e Shqipërisë. Për herë të parë në të gjithë historinë e saj u zhvilluan zgjedhje për Asamblenë Kushtetuese. Për këtë “parlament”, sikurse e quanin shqiptarët Asamblenë Kushtetuese, u përshtat shtëpia e oficerëve. 
Detashmenti rus në Tiranë ishte e vetmja njësi ushtarake e organizuar në Shqipëri, dhe Ahmet-beu na urdhëroi të radhiteshim përballë ndërtesës, ku mblidheshin deputetët e vendit, të zgjedhur për herë të parë me votime. Vetë Zogu qëndroi në rezidencën e tij personale në pritje të vendimit të parlamentit lidhur me statusin e ri të shtetit: me propozim të Ahmet-beut, Shqipëria duhej të shpallej Republikë (në vend të Regjencës), kurse vetë ai, Zogu, – president. Detashmenti rus kishte marrë urdhër të priste kur të dilte një person i besuar i Ahmetit në ballkonin e ndërtesës së parlamentit.
Në rast se deputetët miratonin propozimin e Zogut, ky person i besuar i tij duhej të tundte një shami të bardhë, kurse në rast vendimi negativ – duhej të dilte me shpejtësi nga ndërtesa dhe të kalonte me vrap sheshin në drejtim të detashmentit tonë. Kishim marrë urdhër të drejtonim të gjithë armët që kishim në dispozicion – 4 topat dhe 8 mitralozat – mbi Asamblenë Kushtetuese, ndaj të cilit, në rast të vendimi negativ, ne duhej të hapnim zjarr me breshëri…
Përgjigja e favorshme nuk la të prisnim gjatë. Nga ballkoni na tundën disa herë një shami të bardhë. Zogu u zgjodh njëzëri presidenti i parë i Republikës së re Shqiptare … Ne ngritëm lart tytat e topave dhe mitralozave dhe përshëndetëm republikën e re dhe presidentin e saj, i cili nuk vonoi të vinte në parlament.

Shënim: Përkthimi i fragmenteve nga origjinali rusisht, sqarimet në kllapat katrore, titulli dhe mes-titujt janë të autorit të shkrimit.

Diçiturat

1. “Topa malorë të përdorur nga detashmenti rus që ndihmoi në rrëzimin e qeverisë shqiptare…”

2. “Pranverë 1925. Ahmet Zogu kthehet në rezidencën e tij nga Parlamenti / ndërtesa e shtëpisë së oficerëve / ku u shpall President i Republikës Shqiptare”. 
Ky është shënimi poshtë fotos i vetë autorit të kujtimeve, L.P. Sukaçiov”
Fotoja që ilustron paragrafin e fundit të fragmentit të kujtimeve të përkthyera, vërehet se ajo ka cilësi të dobët tipografike dhe është e dëmtuar rëndë djathtas (është zhvatur shtresa e sipërme), ku shihen rusë me qeleshe shqiptare. Po ashtu dhe ka dëmtim djathtas te makina ku udhëton Presidenti Ahmet-bej Zogu.
Fotoja ka pika të shumta boje në qiell dhe në pjesët e tjera.
Në plan të parë është makina e zbuluar, në ndenjësen prapa të së cilës është ulur ai që do të bëhej pas 3 vjetësh mbret i shqiptarëve.
Zogu mban një turban të bardhë në kokë.
Majtas, në plan të dytë janë ushtarët rusë të rreshtuar kolonë për një në qëndrim gatitu.
Në fund dallohet selia e parlamentit dhe hyrje një grup njerëzish, me sa duket, deputetë.