Histori suksesi/ Jonada Mamo, studentja që u bë pedagoge, pedagogia që po ndryshon Durrësin

Postuar: 09/02/2018 - 18:39

   Jonada Mamo, lidhjen e parë me UAMD-në e pati si studente e Fakultetit të Biznesit. Vajza që sapo kishte mbaruar maturën synonte të vazhdonte studimet e larta jashtë, por për shkak të arsyejeve që nuk vareshin prej saj nuk arriti ta realizonte këtë dëshirë.

Gjithsesi, vazhdimi i studimeve prej saj në UAMD ishte një vlerë e shtuar për Universitetin “Aleksandër Moisiu” dhe një zgjedhje e goditur për Jolandën, që dalë ngadalë nisi të ndihej në UAMD si në një familje të madhe.

Ajo që nisi si një zgjedhje deri diku e imponuar për vajzën e re, është kthyer tashmë në një angazhim me kohë të plotë si pedagoge dhe inspiruese e frymëzuese për studentët.

Por Mamo duket se nuk ndalet, pasi përveç pedagoges ajo është njëkohësisht anëtare e Këshillit Bashkiak Durrës dhe themeluese e pjesëtare e Aleancës së Grave Këshilltare.

Historia e saj e suksesit është publikuar në uebsite e UAMD-së, si një shembull për t’u ndjekur, për të qenë të suksesshëm dhe për t’u ndjerë të përmbushur në karrierë dhe në profesionin që zgjedhim të bëjmë: “Histori Suksesi: Jonada Mamo, Studentja që u bë Pedagoge; Pedagogia që po Ndryshon Durrësin”

Ja si e prezanton veten e saj Jolanda Mamo:

“Në çamët themi “jam çam 24 karatësh”. Jam lindur e rritur në Durrës. Që nga koha e gjimnazit kam qenë pjesëmarrëse e rregullt e olimpiadave shkencore, aktiviste e nismave qytetare dhe senatore e kryesenatore e shkollës sime. Një thirrje e brendshme gjithmonë më ka shtyrë të ndihmoj qytetarin tim/ komunitetin. Më kujtohet para shumë vitesh kur Ministri i atëhershëm i Turizmit bëri thirrje për të pastruar vendin. Kaq më mjaftoi. Lajmerova klasën, nisa organizimin dhe së bashku pastruam Shkozetin. Diçka e vogël bërë me dashuri të madhe.

Kur erdhi koha për të vendosur për Universitetin doja të ndiqja studimet për Industri Farmaceutike jashtë vendit. Kur kjo nuk u mundësua, për arsye që nuk vareshin nga unë, u desh të zgjidhja mes Fakultetit të Biznesit në UAMD dhe atij të Ekonomisë në Tiranë. Me këshillën e prindërve zgjodha UAMD-në. Nisa studimet, por ideja për të shkuar e studiuar jashtë më qëndronte çekan mbi kokë. Derisa profesorët e UAMD-së, sidomos të rinjtë me ambicje të shëndoshë e vizionarë, më mbushën mendjen që duhet të qëndroja.

Kam qenë gjithnjë studente ekselente. Në vitin e dytë nisa të angazhohem edhe me nisma të tjera. Kam qenë moderatore dhe pjesëmarrëse e Konferencës së Parë Shkencore për Studentë. Po atë vit, UAMD-ja do të merrte pjesë për herë të parë në SIFE (Students in Free Enterprise). Unë isha pjesë e ekipit. Mes dhjetëra universitetesh private e publike, universiteti më i ri publik në vend do të zinte vendin e tretë. Të surprizuar për çmimin që në pjesëmarrjen e parë, organizatorët na shpërblyen edhe me çmimin “rocky of the year”. Ky ishte çasti që ndryshoi krejtësisht marrëdhënien time me Universitetin. Që nga ajo kohë në UAMD ndihem si në familje.

Pas masterit e studimeve doktorale, më është rritur shumë ndjenja e përgjegjësisë. Studentëve u mësoj teori dhe praktikë; i rekomandoj ata për të gjetur një vend pune (dhe kjo ka ndodhur disa herë). Në orën e parë të çdo kursi u them që “nëse bëjnë punën që duan, nuk do të punojnë asnjë ditë”. Ata e vlerësojnë prakticitetin dhe ndihen të frymëzuar.

Angazhimi im është i lidhur ngushtë edhe me detyrën time si Anëtare e Këshillit Bashkiak në qytetin e Durrësit. Aty jam themeluese dhe pjesëtare e Aleancës së Grave Këshilltare. Bashkë me këto zonja të nderuara kemi ndihmuar familjet e fëmijëve me probleme. Lobojmë çdo ditë për çështje të rëndësishme si të siguruarit e një strehe për gratë e dhunuara, apo kërkesa për uljen e taksave për kryefamiljaret që rrisin fëmijët të vetme.

Jam e sigurtë që UAMD-ja do të përmirësohet çdo ditë e më shumë dhe do të diplomojë studentë që do të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe do të japin kontribut në arsim, kulturë dhe zhvillimin infrastrukturor e ekonomik të qytetit e mbarë Shqipërisë”.

Dr. Jonada Mamo

Alumni e UAMD-së

Pedagoge në Fakultetin e Biznesit në UAMD

Anëtare e Këshillit Bashkiak Durrës

#NeJemiUAMD #HistoriSuksesi

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

   Mbi kodrat e buta të fshatit Shkallnur, vetëm 2 km larg nga rruga nacionale Plepa - Ndroq, gjendet ferma më e re “Pema e jetës”, inves

   Me dhjetëra djem e vajza nga Shqipëria po arsimohen në universitetet më të mira të botës, duke u kthyer në “brezin” e shpresës që do t

   Për dekada me radhë të gjithë pasionin e tij e gdhendi në dru.