Pasditja e së shtunës së 23 qershorit do të mbetet gjatë në kujtesën e maturantëve të 40 viteve më parë, të gjimnazit të njohur të Durrësit “Gjergj Kastrioti”.

Matura e vitit 1978 kishte vendosur të mblidhej edhe njëherë, 40 vite pasi i kishin dhënë lamtumirën bankave të shkollës, por jo shoqërisë që do të mbetej ende e fortë, pavarësisht dekadave që kalonin dhe largësive që i ndanin.

Për të rikujtuar edhe njëherë kohën ku ishin ende shumë të rinj, plot ëndrra dhe gati për të nisur sfidën e madhe të jetës, ata zgjodhën të mblidheshin edhe njëherë në oborrin e atij gjimnazi, ku kaluan 4 vitet më të bukura të adoleshencës së tyre.

Me peshën e viteve mbi supe, me më pak flokë apo me disa kilogramë më shumë, ata në shoqërinë e njëri-tjetrit u rikthyen edhe njëherë në atë çfarë ishin 40 vite më parë, adoleshentë plot dashuri për jetën, paksa naivë, por plot ëndrra dhe shpresa për të ardhmen.

Rreth 70 persona ishin të pranishëm nga 4 klasat e maturës së vitit 1978, të shkollës “Gjergj Kastrioti”. Disa nuk mundën të vinin pasi janë larg, të shpërndarë nëpër botë, por me zemër ishin aty; disa të tjerë nuk ishin të pranishëm për arsye të tjera subjektive, por disa mungonin sepse janë ndarë para kohe nga jeta, duke lënë një hapësirë të zbrazët në zemrat e shoqeve dhe shokëve…

Njëri nga organizatorët e kësaj feste kaq të bukur, Zamir Peshkëpia, rrëfen ekskluzivisht për DurrësLajm se ideja e organizimit të këtij takimi pas 40 vitesh erdhi pas festës së 50-vjetorit të krijimit të gjimnazit “Gjergj Kastrioti”.

“Unë nuk mora dot pjesë aty dhe më mbeti peng. Erdha në Durrës dhe mora pjesë në përurimin e qendrës sportive “Dhimitraq Goga”, të ndërtuar nga shoku ynë Perikli Goga. Aty, së bashku me Iglin, vendosëm të organizojmë festën. Në muajin maj intensifikuam edhe më shumë kontaktet. Unë, nga Leçe e Italisë ku jetoj e banjo, u mora me kontaktimin e shokëve dhe shoqeve, Igli me lokalin dhe gjëra të tjera. Gjithçka shkoi më lehtë nga çfarë e prisja. Të gjithë u treguan mjaft entuziastë”, tregon Zamir Peshkëpia.

“Kam marrë aq shumë mesazhe sa nuk e kisha imagjinuar. Ata që nuk mundën të vinin kanë shprehur keqardhjen e tyre, por gjithsesi ata ishin me ne atë natë”, vijon më tej Peshkëpia.

Pas takimit të përmallshëm në oborrin e shkollës, festa vijoi më tej në një nga lokalet e Maminasit, ku për orë me rradhë ata festuan dhe u argëtuan sikur koha të mos kishte kaluar aspak, madje ndoshta edhe pak më të shfrenuar, sepse koha kur ishin adoleshentë kishte kufizimet e veta, si çdo aspekt tjetër i jetesës në komunizëm.

Por përveç argëtimit, grupi organizator kishte menduar edhe për shumë aspekte të tjera të këtij takimi jubile. Dhe për këtë, një meritë të veçantë ka Meliha Shpuza, e cila dha idenë e çmimeve të mirënjohjes për personat e spikatur nga brezi i maturës 1978.

Gjatë mbrëmjes, u nderuan me çertifikata mirënjohjeje disa nga maturantët e dikurshëm, që tashmë kanë bërë emër në fusha të ndryshme, duke u evidentuar si personalitete dhe emra të njohur që do të mbeten në memorien e qytetit të Durrësit për kontributin e dhënë.

Me certifikata mirënjohjeje u nderuan Perikli Goga, Nevjana Urumi dhe Arben Myrta.

Në festë nuk kishte si të mungonte edhe torta, e cila ishte kompozuar pikërisht në memorie të kësaj date të rëndësishme, takimit mes maturantëve 4 dekada më vonë. Ky nuk do të jetë i vetmi takim mes tyre. Para ndarjes, ata i premtuan njëri-tjetrit se do të mblidhen sërish për të festuar 50-vjetorin, madje në këtë rast ata shpresojnë të ketë sa më pak mungesa pa arsye, ndërsa me arsye, asnjë…

Siç thonë edhe ata vetë, janë vetëm në gjysëm të rrugës, shumë gjëra i presin ende në të ardhmen!

M.B.