Tjetër dramë për historinë e sportit në Durrës, një emër i madh ndahet nga jeta

Postuar: 07/02/2018 - 23:15

   Nga Bujar Qesja

Sapo njoftohemi për ndarjen nga jeta të Agim Tarakut, në moshën 74-vjeçare. Një emër shumë i njohur, në botën sportive dhe qytetare të Durrësit. Sikur u shtuan ca shumë ndarjet nga jeta, të kapitujve pikantë të sportit durrsak. Agim Taraku në periudhën e viteve 70-të, është nga gjyqtarët më në zë të basketbollit shqiptar. Të paktën Durrësi, e kishte numër një dhe mburrej me të. Federata Shqiptare e Basketbollit, tek Agim Taraku gjente mishërimin e njeriut të ndershëm, të gjyqtarit korrekt dhe të pa kompromis, të teknikut të aftë të manovrimit të topit të koshit. Agim Taraku! Një njeri shumë i gjallë, shumë masovik, i kudo ndodhur, i gjindshëm, gojëëmbël dhe me humor të këndshëm. E takoja përditë në mëngjes, teksa pinte kafenë me disa durrsakë të moçëm dhe përshëndeteshim. Më krijohej një lloj boshllëku, ndonjë ditë që se takoja dhe tërë shqetësim e pyetja, se mos nuk kishte qenë mirë me shëndet. Por ndoshta më shumë, a më pak se dy vite, mësova nga intelektuali i njohur durrsak Gani Krasniqi, se Agim Taraku është goditur nga një hemoragji cerebrale. E përjetova deri në dhimbje. Pyetja vazhdimisht, se si shkonte shëndeti i tij. Por nga muaji janar, një tjetër sëmundje e rrezikshme, nga ato që nuk i bëhet dermani, e goditi Agimin tonë, për të na e marrë përfundimisht, në këtë të mërkurë të 7 shkurtit 2018. Të parin lajm për këtë, ma dha Haxhi Boshnjaku, një tjetër usta i topit të koshit, nxënësi i korifejve të basketbollit durrsak dhe atij shqiptar Dhimitraq Gogës dhe Bashkim Tagës. Qante Xhikja si fëmijë, duke më përsëritur disa herë: “Bujar na iku Agimi... na iku...! Oh, pse kështu kaq shpejt!

Teksa çfletoja në arkivën time, në një kohë rekord brenda pak minutash, lexoj në gazetën Panorama Sport të datës 27 gusht 2014 këto rradhë:

-Ndeshja e famshme. Pallati i Sportit “Partizani”, e shtunë, 3 prill 1971, ora 19:00, përballë Partizani-17 Nëndori, finale për titullin kampion për meshkuj. Publiciteti dhe interesimi është i jashtëzakonshëm, por vetëm pak bileta në shitje (30 lekë kushtonte një e tillë), të tjerat ndahen me autorizim për institucionet, zyrtarët e lartë. Vetë lojtarët kanë marrë nga tri copë. Por, ka edhe nga ata që futen me bileta të sajuara apo false, ndërkohë që nuk funksionon tregu i zi i tyre. Në kushtet e një tensioni të madh, federata ka vendosur dy arbitra të kategorisë së parë, Agim Taraku dhe Kostaq Pojani.

Kaq më mjafton për të treguar, se cili ishte Agim Taraku, në gjykimet shqiptare të basketbollit. Durrësi si djep i lojrave me dorë, kishte edhe një kolegjum të gjyqtarëve të basketbollit model. Kujtimet na drithërojnë dhe pse jo edhe na dërrmojnë paksa, kur kujtojmë pjesë të gjalla të jetës sportive të Durrësit, një pjesë e të cilave kanë ndërtuar, vetë biografinë tonë sportive dhe qytetare. Dhe me Agim Tarakun gjykonin edhe gjyqtarë të tillë pikantë, si Din Cara (i larguar nga jeta në moshë shumë të re), Gjon Luli, Shpëtim Averiku, Rrapo Duraj, Lumir Gjata, Luan Mezini. Agimi në kohën kur gjykonte, u njoh dhe lidhi jetën me basketbollisten e çquar të 17 nëntorit dhe të ekipit kombëtar Dhurata Xhani, e motra e humoristit të njohur Vegim Xhani. Familja Taraku u shtua edhe më dy vajza: Elonën dhe Irisin. Dhurata dha një ndihmesë të çmuar në basketbollin durrsak, duke qenë për shumë vite, inspektore e lojrave me dorë pranë sportklub Lokomotiva. Çifti Taraku shikohej me shumë simpati në Durrës dhe vlerësohej nga opinioni qytetar. Megjithëse u largua nga basketbolli si gjyqtar, ai nuk u largua kurrë nga dashuria e pa masë për sportin dhe sportistët durrsakë të të gjitha kategorive. Ndiqte me vëmëndje kritikën sportive dhe mërzitej kur sportit durrsak nuk i jepej vendi i merituar. Ai ishte dhe mbeti mik i madh i sportit. Me shumë kulturë sportive, i përkushtuar në maksimum për informacionin sportiv dhe diskutonte me detaje arritjet dhe mos arritjet. Agim Taraku mbetet vlerë e sportit durrsak, mbetet vlerë e qytetarisë durrsake, mbetet vlerë shoqërore për mënyrën se si komunikonte dhe lidhej me njerëzit. Prandaj humbja e tij është shumë dimensionale.

Agim Taraku nuk jeton më. Dhimbja është e madhe, por edhe kujtimi për të shumë më shumë se kaq. Më vjen keq, shumë keq për vdekjen e parakohshme të Agimit tonë. Por në të njëjtën kohë, ndjej brenda vetes një lehtësi, që Zoti më ka pajisuar me vëmëndjen dhe përkushtimin, që njërëzit me angazhime të tilla plot vlera si Agim Taraku dhe të tjerë si ai, të mos i përcjellim ja kështu, pa shkruajtur disa rradhë malli dhe kujtimi për ta. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Agim Tarakut, gruas së tij fisnike Dhuratës, vajzave Elonës dhe Irisit dhe të afërmëve të tjerë. Lamtumirë Agim Taraku, miku ynë i shkëlqyer!

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

   Shqipëria është zgjedhur si destinacioni numër një për t’u vizituar në vitin 2018, shkruan faqja e specializuar për turizmin travellin

   Jonada Mamo, lidhjen e parë me UAMD-në e pati si studente e Fakultetit të Biznesit.

Një vend ku kanë lindur perandorë, kanë kaluar apostuj dhe personazhe të tjerë të botës antike.

   Nga Mark Brunga

Ai themeloi të parin kantier modern detar.

Nga Bujar Qesja

Mrekullia e 19 janarit 2018

- Fillon te jape frytet efekti Leonard Tase

   Një histori e denjë për filma ka ndodhur në Portin e Durrësit në 1969, ku dy vajza të cilat punonin në sektorin e spontimit u damkosën