Nga Bujar Qesja

16 mars 2018! Krejt papritur mësova lajmin e dhimbshëm, të ndarjes nga jeta të Zenun Gojanit. Në çastin e parë, lajmi është gati “vrastar”, goditës, trembës, i llahtarshëm, i papërballueshëm. Ndodh kështu me një kategori njerëzish, që ndonëse nuk ke ndarë shumë pasdite me to, mbeten në inventarin tënd të çmuar dhe tejet të kërkuar. Kështu pa më të voglin ngurrim, ndodhi edhe me Zenun Gojanin, Nunin tonë ta paharruar dhe mbreslënës.
Zenun Gojani! Ne kështu e njohim dhe shkurt i thërritnim Nuni. Kishte diçka të magjishme ky Nuni ynë, një qeshje plot finesë e hijeshi, sigurisht dhuratë e Zotit. Me 25 maj të vitit 2018, Nuni do të festonte 67 vjetorin e lindjes. Dhe ne do të bëheshim gati në kësi rastesh, të bënim urimet tona të zakonshme. Lexova me kujdes 213 urimet, që i ishin bërë Zenunit tonë të paharruar, me rastin e 66 vjetorit të lindjes. Të 213 urimeve, ai i ishte përgjigjur me të njëjtin respekt, pa bërë më voglin dallim: Ju faleminderit! Gëzime paçi edhe ju. Dhe më dukej se kjo mjaftonte, për të ndjerë se ne ishim si më parë, miq, shokë, por mbi të gjithë bij të këtij Durrësi tonë të shkëlqyer, të pandërruar në jetë të jetëve. Dhe këtë Durrës, Zenun Gojani e donte shumë, shumë. Njerëzit e tij edhe më shumë, edhe më shumë, edhe….
Zenun Gojani! Shumë qytetar. Shumë njerëzor. Më tërhoqi vëmëndjen, një mendim i rezervuar diku, në dokumentat e tij publike. Ja se çfarë është kjo, që po ju tregoj:
-Koha më bën të harroj disa njerëz.
Disa njerëz më bëjnë të harroj kohën.
Ndërsa të tjerë, 
Janë koha ime….!!!
Unë jam koha jote Zenun Gojani. Ti je koha ime, Nuni im i paharruar. Prandaj po ti shpreh edhe këto rradhë, sepse jemi koha e njëri tjetrit. Unë jam miku dhe shoku yt Zenun Gojani. Unë jam ai, durrsaku yt i respektuar si gjithnjë dhe me shumë takt e kulturë, bisedonim për sportin. Jo pa qëllim, sërish në vlerat tuaja të ruajtura, fiksova dy sigla sportive: Teuta 1920, që unë e kisha përdorur dhe e trajtova si risi, në gazetën time të paharruar Teuta Sport dhe Goga Basket, në vlerësim të punës së jashëtzakonshme që kryen miku ynë Igli Goga. Me 18 mars 2018, ai do të bëjë përurimin e një kryevepre. Tashmë Durrësi me pallatin e bukur, shumë të bukur Dhimitraq Goga. Sigurisht ftesa jote është aty dhe ti je me ne, gjithnjë me ne, miku ynë i shtrenjtë Zenun. 
Në hapat e mia të rëndësishme si publiçist, nuk do të harroj mbështetjen tënde të jashtëzakonshme, prej një durrsaku të thekur, ku e doje këtë qytet me shumë shpirt dhe respektoje në kulm njerëzit e tij, që ishin vetë shpirti yt. Edhe në fb komunikonim shpirtërisht dhe ti qendroje gjithnjë pranë interesave të qytetit tënd, të Durrësit tonë të shtrenjtë.
Zenun Gojani! Nuk e di se çfarë ndodhi me ty. Nëpër të, sikur më kapi fjala spital, çka tregon se ke qenë sëmurë. Unë e ndjeja pa dashje këtë, pasi më mungonte prezenca e jote. Më mungonin këshillat e tua, dashuria e jote për kulturën, artin, sportin dhe qytetarinë durrsake. 
Kurrë nuk i kam ndarë njerëzit e qytetit tim, në të pasur dhe të varfër, në të bardhë dhe në të zinj, në të verdhë e në të kuq, në të majtë e në të djathtë, pasi jam orjentuar nga një lloj lokalizmi lakmitar, që quhet Durrës. Dhe çka brenda tij, është edhe e imja. Kështu ishe edhe ti miku im i shtrenjtë Nuni. Ndeza një qiri që tani. Një qiri, që jam i bindur që nuk do të shkrihet kurrrë, sepse do të ushqehet me lëngun e mallit dhe kujtimit tim më të mirë për ty, i shtrenjti mik, i dashuri shok. Na le me dhimbje, duke na lënë si pronë e patjetërsueshme buzëqeshjen tënde. Buzëqeshjen tënde, që është tejet e ndezur në këtë stinë lulesh, në këtë pranverë të fundit, por jo të tillë në kujtimet për ty. 
Lamtumirë Zenun Gojani, durrsaku ynë i ëmbël, miku ynë i çmuar, shoku ynë i rrallë! R.I.P Zenun Gojani!