Humbja kundër Partizanit ka lënë një shije të hidhur te “Djemtë e detit” për mënyrën se si shkoi ndeshja dhe kjo reflektohej te lojtarët në stërvitjen e djeshme. Kjo ishte ndeshja e katërt e durrsakëve, që kanë humbur duke qenë në avantazh nga shtatë në total në 14 javë kampionat.

Gjithashtu edhe në dy ndeshje të tjera, që kanë përfunduar në barazim, fillimisht bregdetarët ishin në avantazh. Këto statistika tregojnë qartë që Teuta është një ekip i brishtë dhe pa eksperiencë, veçanërisht në repartin defensiv. Drejtuesit, së bashku me stafin teknik, kanë pranuar se kanë gabuar në merkaton e verës dhe pasojat duken qartë. Shpëtimi i vetëm për Teutën është merkato e janarit, me drejtuesit që pritet të afrojnë disa lojtarë cilësorë në këtë repart. Por nuk do të ketë vetëm afrime, Sunday Abe është lojtari i parë që është larguar nga Teuta.

Mbrojtësi i djathtë nuk ka bindur stafin teknik dhe, pas konfirmimit të Maganit, 26-vjeçari ka marrë valixhen dhe është nisur drejt Nigerisë. Abe është aktivizuar vetëm në pesë ndeshje në kampionat nga 14 në total dhe vetëm një në Kupën e Shqipërisë (në humbjen me Tërbunin). Përveç tij mësohet se do të ketë të paktën edhe dy largime të tjera.

Në këtë moment delikat, lajmi i mirë për Gugash Maganin është rikthimi i kapitenit Nijas Lena. Mesfushori u stërvit normalisht me të gjithë grupin, ndërsa ndaj Kukësit pritet të jetë në fushë, ndërkohë Ante Hrkaç vazhdon me fazën e rikuperimit. Ende nuk dihet se kur futbollisti do të jetë gati për të qenë në fushën e lojës, pasi do të shihet si do të ecë faza e riaftësimit ditë pas dite.