Pas dy ditësh pushim të akorduar nga stafi teknik, Teuta u rikthehet përgatitjeve në terren, në kuadër të ndeshjes me Laçin. Në dispozicion të stafit teknik binte në sy mungesa e Elhan Kastratit, Arlis Shalës dhe Esin Hakajt, të cilët janë thirrur nga kombëtaret respektive.

Ndërkohë, Amiri Bilali, Amadu Latif, Devi Bilali, nuk ishin në stërvitjen e parë për shkak të gjendjes gripale. Gentian Begeja e filloi stërvitjen duke falënderuar ekipin për shpirtin e garës që treguan në fitoren me përmbysje kundër Lushnjës në “Roza Haxhiu”.

“Bravo çuna! Në Lushnje kemi marrë një trepikësh të artë, që do të shërbejë shumë për objektivin që kemi. Ndeshja ishte shumë e rëndësishme dhe ju nuk u dorëzuat për asnjë moment.

Ky është elementi që më pëlqen më shumë, shpirti i garës që treguat deri në sekondën e fundit. Energjia që harxhuat ishte shumë e vlefshme sepse ekipi mori një fitore që na jep shumë besim dhe na afron akoma më shumë me rivalin direkt. Puna jonë është japim maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje, për të marrë vetëm rezultate pozitive.

Jam shumë i kënaqur nga ju, por pres akoma edhe më shumë, pasi kemi një rrugë të gjatë përpara. Ndeshja me Laçin është shumë e rëndësishme për vijimësinë, ndaj duhet të vazhdojmë me këtë ritëm”, u tha 44-vjeçari futbollistëve përpara se ekipi të fillonte stërvitjen.