Kombëtarja e 19-vjeçarëve të Shqipërisë bëhet gati për eliminatoret e Europianit 2018 që do të zhvillohet në Finlandë.

Trajneri Erjon Bogdani në një konferencë për shtyp ka bërë publike listën e të grumbulluarve ku bie në sy fakti që janë të njëjtët futbollistë të cilët ishin dhe në dy miqësoret me Gjeorgjinë muajin e kaluar. Janë 4 futbollistë që vijnë nga kampionati shqiptar ndërkohë që pjesa më e madhe e të grumbulluarve vijnë nga kampionati Grek dhe ai Italian.

Drejtuesi i 19-vjeçarëve ka bërë të ditur objektivin e vendosur në një grup të vështirë me skuadra si Ukraina, Norvegjia dhe Mali i Zi.

“Para një viti kemi deklaruar si objektiv të nxjerrim sa më shumë lojtarë për ekipin U 21 dhe Kombëtaren e madhe. Objektivi në këto 3 ndeshje është të japim maksimumin dhe më pas të shohim si jemi paraqitur. Kemi në grup 3 skuadra të forta, pasi Ukraina dhe Norvegjia kanë qenë mes 8 më të mirave në Europë, megjithatë kemi dicka pozitive në listë pasi janë 9 lojtarë të vitit 2000 që do prezantohen mirë por janë më të vegjël se lojtarët e rivalëve. Këto lojtarë do të jenë baza për vitin tjetër në të cilin pretendojmë të prezantohemi më mirë dhe të kualifikohemi.”- është shprehur Bogdani.

Bogdani është i bindur në zgjedhjen e bërë, pasi vlerëson në maksimum të grumbulluarit duke i cilësuar si më të mirët për momentin.

“Grupi dhe baza e skuadrës ishte ajo që u pa në miqësoret me Gjeorgjinë, është e rëndësishme që ekipi të njihet me njëri-tjetrin. Kam vëzhguar këta lojtarë dhe më kanë dhënë garanci, ndoshta vitin tjetër do të kem mundësi të lëviz më shumë dhe të bëj zgjedhje të tjera.”

Përpara janë dhe dy sfidat e fundit të fazës së grupeve për ekipin e parë, ndaj Spanjës në transfertë dhe Italisë në “Loro Borici”. Ish-bomberit kuqezi i është kërkuar një opinion rreth dy sfidave të skaudrës së drejtuar nga Christian Panucci.

“Me Italinë mund të marim një rezultat pozitiv, ndërsa me Spanjën e shoh të vështirë pasi janë një ekip shumë i mirë.”- ka përfunduar drejtuesi i ekipit U 19.