Maurizzio Sarri do të jetë tashmë trajneri i ardhshëm i Chelsea-t, ku do të zëvendësojë Antonio Conten, me synimin për të luftuar për titull dhe për t’u rikthyer në edicionin e ardhshëm të Champions Leagues. Londinezët i kanë premtuar një merkato spektakolare Sarrit, ku në krye të listës qëndrojnë Koulibaly dhe Elseid Hysaj. Të dy mbrojtësat janë të preferuarit e Sarrit dhe mund të transferohen në Londër për shumën e 120 milionë eurove, aq sa është edhe klauzola e tyre (50 për Hysajn dhe 70 për Koulibaly).

Gjithashtu Abramovich është gati t’i sjellë trajnerit të ri edhe nëj sulmues me peshë, i aftë të shënojë më tepër se 20 gola në sezon.

Higuain dhe Icardi janë emrat që Sarri ka kërkuar, ndërsa argjentinasi i Juves duket më i mundshëm, sa i përket kostos së transferimit. Chelsea është gati të ofrojë Moratën dhe 20 milionë euro, për të marrë Higuainin në Londër, tratativë që mund të gjejë dakordësinë e juventinëve.

Sa i përket kapitenit të Interit, ai ka një klauzolë prej 110 milionë eurosh, ndërsa edhe në këtë rast londinezët po shtyjnë për të futur në marrëveshje Moratën dhe 50 milionë euro.