Humbja me Vllazninë në “Loro Boriçi” duket se hapi “plagët” e vjetra të Teutës. “Luajmë mirë, por pësojmë gola naivë dhe kjo nuk është hera e parë”, u shpreh trajneri Gentian Begeja menjëherë pas ndeshjes.

Mesazhi i tij ishte i qartë, duke paralajmëruar lojtarët e repartit difensiv. Gjatë këtij sezoni, problemi më i madh i Teutës ka qenë mbrojtja dhe oscilacionet në portë. Shpeshherë durrsakët kanë pësuar gola amatoreskë dhe kjo për fajin e tyre.

Edhe pse ekipi luan mirë dhe shënon thuajse çdo ndeshje, sërish në mbrojtje është i brishtë. Pas humbjes me Vllazninë, tani “djemtë e detit” e shohin veten shumë të rrezikuar dhe situata sa vjen dhe ndërlikohet. Tri pikë të humbura kundër një kundërshtari direkt kanë vlerë të dyfishtë, me kuqeblutë që janë larguar disi nga “zona e ftohtë”, duke pasur katër pikë më shumë se bregdetarët.

Edhe pse pësuan një tjetër humbje, durrsakët zhvilluan një lojë të mirë në Shkodër, por u ndëshkuan nga gabimet e individuale, duke futur këtu edhe fatin që nuk ishte me bregdetarët. Megjithatë, për t’u rikthyer te rezultatet pozitive, duhet më shumë impenjim, dëshirë në fushë, besim dhe sigurisht guxim. Diçka që duket se i mungon Teutës, të paktën besimi dhe agresiviteti.

Edhe gjatë kampionatit të kaluar, që ishte sezoni më i keq i Teutës, nuk kishte kaq pak pikë në klasifikim. Ndonëse u ndryshuan disa trajnerë, “djemtë e detit” pas 20 javësh kishin grumbulluar 19 pikë në sezonin e kaluar. Pra, dy më shumë se këtë kampionat, ku pozicionohen në vendin e nëntë me 17 pikë.

Statistikat flasin qartë, në një kohë që Begeja tani i njeh nga afër problematikat dhe e di se çfarë duhet të ndryshojë për ndeshjen e radhës kundër Flamurtarit, që do të zhvillohet të shtunën në “Niko Dovana”.Trajneri 44-vjeçar e ka ndjekur me kujdes ekipin që nga fillimi i kampionatit dhe e di se ku i “pikon çatia”.

Për t’u rikthyer te rezultatet pozitive, pikë së pari Begeja duhet të marrë masa për prapavijën. Në futboll thuhet se mbrojtja më e mirë është sulmi, por Teuta nuk e ka një sulmues tipik.