Kupa e Shqipërisë është një objektiv për Skënderbeun dhe në Vlorë bardhekuqtë do të shkojnë me qëllimin e vetëm për ta përmbysur disavantazhin e regjistruar në ndeshjen e parë në Korçë (0-1). Trajneri Ilir Daja e nisi stërvitjen gjenerale duke i kujtuar futbollistëve të tij se ky është një takim shumë i rëndësishëm dhe duhet të japim maksimumin në fushë.

Bardhekuqtë deri tani kanë arritur të fitojnë 6 tituj kampion radhazi të Shqipërisë, por asnjëherë nuk e kanë fituar Kupën e Shqipërisë, ndaj ky trofe është shumë i dashur jo vetëm për drejtuesit dhe stafin teknik, por edhe për vetë futbollistët. Mbrojtësi kroat Marko Radas në konferencën për shtyp deklaroi se të kryesuesit e Superiores duan dopietën këtë sezon.

Flamurtari fitoi me rezultatin minimal 1-0 në Korçë, por ky fakt nuk i shqetëson bardhekutë, të cilët duke u bazuar edhe tek ndeshje e fundit në kampionat mes tyre ku fituan 3-0 besojnë se do të kualifikohen në finale.

Rikthimi i titullit të vitit 2016 pas vendimit të CAS, ka entuziazmuar futbollistët e Skënderbeut. Kroati duke pranuar se ekipi ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike gjatë javëve të fundit theksoi se CAS do të vendos drejtësi edhe sa i përket dënimit me 10 vite nga UEFA.

Ilir Daja për ndeshjen ndaj Flamurtarit, sërish nuk do të ketë në dispozicion kapitenin Orges Shehi dhe mesfushorin Sabjen Lilaj, ndërkohë edhe James Adeniyi i shtohet listës së mungesave, teksa mesfushori Bruno Dita është në dyshim, ndonëse në stërvitjen e fundit punoi normalisht me grupin.