Teuta kërkon një portier pas largimit të Elhan Kastratit dhe nën urdhrat e stafit teknik është vënë Endri Saraçi. Titullar me Dinamos sezonin e shkuar, 23-vjeçari ka dalë nga Tirana dhe më pas është aktivizuar me Sopotin dhe Turbinën. Tani po tenton Superioren dhe duhet të bindë durrsakët me cilësitë e tij.

Shkëmbi kërkon edhe një qendërmbrojtës dhe në testin me ekipin e të rinjve u provua Jurgen Vogli. Peqinasi vjet ishte pjesë e Egnatias dhe më parë ka luajtur me Lushnjën, Elbasanin dhe Shkumbinin. 25-vjeçari ka provuar edhe një eksperiencë në Gjermani, ndërkohë që i qe nënshkruar edhe një testi me Partizanin, por të kuqtë nuk i ofruan një kontratë mbrojtësit. 

Ndërkohë, të hënën, Teuta e drejtuar nga trajneri Bledi Shkëmbi ka zhvilluar edhe një ndeshje kontrolli Brenda familjes, me U-19 të saj. "Djemtë e Detit" të mëdhenj kanë fituar 4-0, me gola të Avdyli, Shkalla, Vila, Boubacar Traore.

Ja njoftimi i bregdetarëve për këtë test kontrolli:

"Ekipi ka hyrë sot në ditën e 5-të të përgatitjeve për sezonin e ri, nën drejtimin e trajnerit Bledi Shkëmbi dhe stafit teknik. Në ndryshim nga ditët e para, ku stafi ka punuar për të futur ekipin në ritëm, sot pasdite lojtarët i janë nënshtruar nje testi brenda familjes, i cili konsiston në qëndrueshmërinë aerobike të lojtarëve. Lojtarët kanë përballuar më së miri testin, duke shfaqur gjëndje të shkëlqyer fizike".