Teuta ndodhet në një pozicion të vështirë në klasifikim, megjithatë rezultatet e arritura në javët e fundit japin shpresë dhe mbushin me optimizëm drejtuesit, por edhe tifozët, pasi mbijetesa është më afër. Ky kampionat nisi me shumë pretendime nga bregdetarët, ku pjesëmarrja në kompeticionet europiane ishte objektivi më minimal, por pas dy fazave të para situata mori një rrjedhë tjetër dhe tani Teuta lufton për mbijetesë, pavarësisht se në verë u shpenzua shumë, ndoshta më shumë se në dy dekadat e fundit. Në Durrës janë të vetëdijshëm dhe e pranojnë se kanë gabuar në merkato, por besojnë se me impenjim dhe shpirtin e garës do t’ia dalin të qëndrojnë në sallonin e madh të futbollit shqiptar.

Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, i cili foli për gjithçka ka ndodhur gjatë gjithë këtij sezoni me bregdetarët, por edhe me kampionatin dhe rivalët. Ai është i sinqertë dhe e pranon dështimin, flet pa doreza për garën dhe rivalët. Gjithashtu, Hasanbelliu diskutoi edhe çështjen e kalimit të Teutës në shoqëri aksionere, teksa garantoi se Liga Profesioniste do të jetë gati në shtator. Në javët e fundit ka pasur disa akuza ndaj Teutës nga drejtues të Kamzës, por presidenti më i vjetër i Superiores e shpërfill, ndërsa theksoi se këta persona duan të bëhen protagonistë duke dëmtuar garën. Tema më e nxehtë është edhe ajo e arbitrave, por për presidentin më jetëgjatë në Superiore pak rëndësi ka se kush i gjykon ndeshjet e Teutës. Ai është i qetë dhe pranon çdo vendim, ashtu siç ndodhi me Vllazninë.

Si ka mundësi që Teuta po vuan kaq shumë për mbijetesë, në një kohë që e nisët me synime të qarta për Europën?

Ne kemi gabuar në merkato dhe fajet i kemi të gjithë. Duke filluar nga Magani i pari, për të vazhduar më pas me ne drejtuesit. Unë kam konstatuar gjatë kësaj periudhe që është shumë e vështirë të ndërtosh një ekip kompetitiv me shumë lojtarë të huaj dhe kjo është një nga arsyet e dështimit tonë. E dyta, lojtarët nuk dolën aq cilësorë sa në video. U gabuam me atë që pamë në videot e tyre.|

Në këtë situatë, kush mban përgjegjësi ose më saktë, kush ju ka zhgënjyer më shumë nga fillimi i sezonit dhe deri më tani?

Patjetër që lojtarët nuk kanë bindur. Ai që më zhgënjeu më shumë është Osemene, i cili ishte shumë larg parashikimeve tona. E morëm nga Braga, por la për të dëshiruar. Më pas sulmi mbeti vakant dhe po e vuajmë edhe sot. Latif erdhi si lojtar rezervë dhe për të luajtur në krah. Në këto kushte u detyruam ta aktivizojmë në qendër. Në janar menduam se do të afronim një sulmues cilësor, ndaj e larguam atë, por sërish dështuam. Nuk e arritëm qëllimin që kishim.

Magani mund të quhet një bast i humbur për ju?

Sigurisht, edhe ai dështoi, pasi skuadra regjistroi shumë rezultate të dobëta. Gjithmonë kalonim në avantazh, por më pas humbitnim. Morëm aq humbje sa edhe ai vetë u trondit, madje kërkoi edhe dorëheqjen, por unë e mbajta. Kur humbet skuadra, krijohen edhe probleme brenda, pastaj flitet “filan” lojtar nuk luajti, prishi grupin dhe shkuam në këtë gjendje ku jemi sot.

Çfarë po bëhet me klubin, shoqërinë aksionere, është e vërtetë që keni pasur përplasje me bashkinë?

Nuk ka asnjë përplasje, thjesht procedura. Duhet të mblidhet Këshilli Bashkiak. Ata na kanë kërkuar disa dokumente, ne i kemi plotësuar të gjitha shkresat dhe tani po presim mbledhjen e radhës të këshillit që të vendoset shoqëria. 75% ne dhe 25% do të jetë në duart e bashkisë.

Në opinion është krijuar një aludim sikur Teuta po mbështetet nga FSHF dhe nuk ka shanse të bjerë.Cili është reagimi juaj?

Ky është problemi i atyre që mendojnë kështu. Ne na rëndon kjo sepse duke qenë Armand Duka nga Durrësi, media dhe këto thashethemnajat krijojnë këtë ide të gabuara, por nuk është kështu. Madje, ne po luajmë me shumë siklet nga kjo situatë. Unë rashë dakord që Teuta-Vllaznia të gjykohej nga një trup arbitrash të huaj. Unë kam 20 vjet president i Teutës, ndërsa Duka vetëm 12 vite ka si president i FSHF-së. Kam rrezikuar edhe më parë për të dalë nga kategoria, por kam qenë edhe afër titullit, madje disa herë dhe nuk e kam marrë. E theksoj se kjo nuk është arsye. Unë kërkoj që arbitri të mbajë drejt si brenda ashtu edhe jashtë. Ka kaq vite që e kërkoj.

Si i komentoni akuzat e Xhelal Mziut të Kamzës?

Nuk dua ta komentoj fare. Këta janë njerëz që nuk kanë lidhje me futbollin, nuk dua t’i përmend as emrin. Kush është ky? Njerëz si ky nuk dinë as me sa vetë luhet futbolli. Nuk më hynë fare në vesh fjalët e tij. Sa i përket presidentit të Kamzës Naim Qarri, ju them se ai është kolegu im, si duket nga emocionet që ka, ka deklaruar ashtu, pasi Kamza ishte pretendente për Europën. Pas fitores sonë në Kamzë, rrëshqiti ajo. Naimit i duket sikur ne po i marrim hakun, por në fakt po luajmë futboll. Ne shohim punën tonë, Naimi të vetën.

Një koment për situatën e Skënderbeut

UEFA ka gjyqtarë dhe ata e dinë. Shteti ynë është UEFA dhe ne me ata mbahemi. Shpresoj që Skënderbeu të mos dënohet, pasi nuk është mirë as për kampionatin. Dua që ta fitojë gjyqin në CAS.