Teuta ndodhet në një pozicion të vështirë në klasifikim, megjithatë rezultatet e arritura në javët e fundit japin shpresë dhe mbushin me optimizëm drejtuesit, por edhe tifozët, pasi mbijetesa është më afër. Hasanbelliu ka folur për çështjen e kalimit të Teutës në shoqëri aksionere, teksa garantoi se Liga Profesioniste do të jetë gati në shtator.

Çfarë po ndodh me kampionatin shqiptar, gjithnjë e më shumë po humbet besimi dhe stadiumet po boshatisen?

Arsyeja kryesore janë thashethemet. Kjo ka ndikuar shumë keq, edhe vetë ndihem keq. Madje edhe djali që kam në klasë të dytë, kur shkova në shpi njëherë, më ka thënë “o ba u shit kjo ndeshje…?”. Edhe kur luan Barcelona me Realin thuhet “u shit”. Është krijuar edhe të fëmijët dhe kjo është arsyeja kryesore. E dyta që ndikon është edhe fakti që ka shumë pika bastesh dhe të gjithë rrinë aty për t’i parë të gjitha ndeshjet dhe nuk vijnë në stadiume. Arsyeja e tretë është edhe gjendja ekonomike. Çmimet modeste janë, por edhe varfëria ndikon.

Çështja e arbitrave po bëhet gangrenë, madje klubet akuzojnë se FSHF tani po bën qoka duke iu referuar edhe votimit për kreun e Federatës?

Kjo është për të qeshur në fakt se të gjithë klubet (pjesa më e madhe) e Superiores votuan Dukën. Nëse ai ndikon tek arbitrimi, i bie që të 10 klubet të fitojnë dhe mos dalë asnjë nga Kategoria. Vetëm Partizani ka qenë kundër dhe nuk është se ka pasur ndonjë dëm të madh nga arbitrat.

Pse mbështetët sërish Dukën, ju keni qenë disa herë kritik ndaj FSHF-së?

Votova pro Dukës sepse u bë vite që e drejton futbollin në Shqipëri dhe ka qenë i suksesshëm. Nuk e votova Finon sepse e para punës ishte nga politika… Si nga PS si nga PD, unë jam kundër, pasi nuk dua që politika të bëhet bashkë me futbollin. Doja një biznesmen, mbase nuk do isha me Dukën, por nuk duhet të ishte një politikan. Finon e kam mik dhe ia bëra të qartë pse isha kundër tij.

Kur do të krijohet Liga Profesioniste, a ka pasur ndonjë lëvizje gjatë kësaj periudhe?

Po, Liga do të krijohet. Ne kemi dërguar përfaqësuesit tanë pranë FSHF-së dhe them se vitin tjetër në shtator Liga do të jetë gati. Është një nga gjërat më të rëndësishme, pasi të gjitha të ardhurat do të jenë për ne. Liga do të drejtohet nga ne presidentet dhe nuk ka lidhje fare me Federatën. Këtë duhet të kuptojnë të dhjeta klubet. U bëj thirrje të përkushtohen për ta bërë këtë Ligë sepse nevoja është emergjente.

Kush do të jetë presidenti i Ligës, ka pasur debate për këtë pjesë?

Ky është problemi kryesor, por ne duhet të mblidhemi të 10 presidentët për të zgjedhur personin e duhur. Unë sugjeroj që ai të mos ketë lidhje me politikën dhe mos ketë lidhje me asnjë klub. Nuk ka problem nëse është nga kryeqyteti, por të ketë shkollimin e duhur. Mirë do të ishte të ishte jurist, ekonomist dhe ta dashuronte sportin. Nuk duhet të ketë përkrahje nga asnjë klub.

Kthehemi tek Teuta… keni vite që investoni, i jeni afruar titullit, por nuk e keni fituar. Kur besoni se do ta fitoni?

Duhen shumë të ardhura për të dalë kampion dhe një projekt afatgjatë. Në momentin që të ardhurat do të rriten, do të jemi pretendentë. Cilë- sia do të rritet dhe do të jemi më afër. Kam kaq vite që e kërkoj këtë titull, i kam shkuar katër herë, por nuk e kam marrë dot. Kam marrë dy Kupa të Shqipërisë dhe kemi dalë nënkampionë, por titulli më mungon dhe shpresoj shumë ta fitoj.

Begeja ka marrë rezultate pozitive në këtë periudhë, e shikoni si trajnerin e duhur për vitin e ardhshëm?

Begejën e njoh mirë. E kam pasur futbollist, kapiten… Ai sa vjen dhe piqet. Është një person i zoti. E ka rritur shumë nivelin, them se mund të vazhdojmë sërish, por primare për ne është të sigurojmë qëndrimin në Superiore më pas do të flasim për këtë. Por ai është gjithmonë pjesë e Teutës.

Ndërmjet Vllaznisë dhe Kamzës, cilin shikoni si ekipin më të rrezikuar? Ne kemi hallin tonë njëherë, duhet të shpëtojmë vetë…

Për Vllazninë nuk më vjen mirë, pasi kemi zhvilluar ndeshje shumë të bukura ndër vite, kemi luftuar edhe për kampion. Kam kujtime të bukura, jemi përballur shumë herë, por edhe për Kamzën nuk do të më vinte mirë.

Në këtë sezon të vështirë ka ndonjë lojtar që ju ka impresionuar?

Kapiteni i skuadrës, Çrybja, ka treguar një nivel të lartë. Nga të huajt, Hrkaç ka treguar stabilitet, ka qenë më i përkushtuar nga të huajt, por edhe pjesa tjetër në këtë periudhë ka luajtur mirë.

I keni dhënë premio skuadrës në këtë moment delikat?

Po. 5 mijë euro për katër pikë. Pra, për barazimin me Luftëtarin dhe fitoren.

Nëse kampionati mbyllet sot dhe Teuta shpëton, çfarë planesh keni për sezonin e ri?

Boshti i skuadrës qëndron. Do të afroj lojtarë cilësorë dhe kryesisht shqiptarë. Do të kemi kontratat trevjeçare dhe pas dy-tre vitesh do të pretendojmë vendet e para në klasifikim. Por duhet shumë punë dhe duhet merkato shumë e kujdesshme.

Aksioneri Ardjan Bardhi ka munguar në stadium në ndeshjet e fundit, cila është arsyeja?

Bardhi u mërzit shumë nga humbjet, është shumë emocional. Ndeshjet i ka ndjekur nga televizori. Në takimin me Luftëtarin, kur Latif humbi një rast në fund të ndeshjes, ai sa nuk theu televizorin, pasi i ra me telekomandë… (qesh). Më tha: ‘Aman rri ti afër, sepse unë dridhem kur nuk fitojmë’….