Lideri është i pashitshëm dhe Inter-Ikardi do të jetë një binom bashkëjetese për shumë kohë. Inter dhe Vanda Nara kanë gjetur akordin për rinovimin e kontratës së Mauro Ikardit.

Zikaltrit janë të gatshëm që të blindojnë yllin e skuadrës, duke e bërë më të vlerësuarin në Itali. Nga sa bëhet me dije prej mediave italiane, klauzola prej 110 milionë eurosh për largimin e mundshëm të argjentinasit pritet që të fiksohet në termat prej 160 milionë eurosh.

Por, e lidhur me këtë shifër do të jetë edhe vetë paga vjetore e sulmuesit. Aktualisht, Mauro përfiton deri në 4.8 milionë euro, mirëpo prej javësh menaxherja dhe njëherësh bashkëshortja e tij, kanë diskutuar me drejtuesit për të bërë të mundur edhe përmirë- simin e parametrave financiare.

“SportMediaset” bën me dije se akordi mes palësh është i tillë që bomberi zikaltër të arkëtojë 5% të klauzolës së tij si pagë vjetore. E përkthyer në shifra, Ikardi do të mund të paguhet rreth 8 milionë euro në vit, e cila do të ishte edhe paga më e lartë për një futbollist në Serinë A.

Momentalisht, Juventus e kryeson klasifikimin e pagave më të larta me një kufi deri në 7.5 milionë euro. 24 gola dhe një asist e kanë bërë Ikardin një prej sulmuesve më produktivë në Serinë A deri në këtë fazë të sezonit dhe zikaltrit duket se kanë pranuar çdo kërkesë të tij dhe bashkëshortes menaxhere për të shtyrë qëndrimin.

Në afate kohore, Ikardi është nën kontratë me Interin deri më 2021, ndërkohë që rinovimi në fjalë është pesëvjeçar nga momenti aktual, pra, argjentinasi të jetë lideri i zikaltërve deri më vitin 2023.