Luhet në dy ditë, të dielën dhe të hënën java e 26-të e Kategorisë Superiore me futbollin që kthehet vetëm pak ditë pas turnit ndërjavor për të dhënë të tjera verdikte të rëndësishme në kampionat.

Kalendar vërtet intrigues që nis pasdrekën e kësaj të diele me dy sfida që luhen njëkohësisht në orën 14.00, kur në Laç skuadra e Gentian Mezanit, që pas dy fitoreve radhazi ka kapur zonën europiane, do të përballet me Kamzën në një duel të ndezur mes dy formacioneve që i ndajnë vetëm 3 pikë  në klasifikim.

Ndërkohë, në takimin tjetër, sfida e fundtabelës në Teutën para obligimit për të fituar sfidën me Lushnjën e rënë praktikisht nga Kategoria. Një takim shumë i rëndësishëm ky për skuadrën e Gentian Begejas që nuk ka rrugë tjetër përvec trepikëshit për të forcuar pozitat në luftën mbijetesë.

Në orën 17.00 të dielën në Korçë luhet Skënderbeu – Luftëtari, skuadra e Hasan Likës i shkaktoi një surprizë të hidhur bardhekuqve në takimin e fundit në Gjirokastër duke i shkaktuar Skënderbeut edhe humbjen e vetme për këtë vit kalendarik, teksa shkon në Korçë me frymën e duhur pasi ka mposhtur për të dytën herë radhazi Kukësin, Skënderbeut do ti duhet padyshim një përqëndrim shumë ndryshe nga ai i Teutës në një përballje mes dy prej skuadrave që shprehin futbollin më të mirë në Superiore.

Të hënën është radha e dy takimeve që gjenerojnë interes të veçantë. Në orën 14 në Zeqir Ymeri Kukësi i plagosur nga Luftëtari pret Vllazninë që e ka kthyer mbrojtjen në një bunker të vërtetë dhe kërkon pikë për të mbajtur pas Teutën në luftën për mbijetesë, ndërkohë që java mbyllet me pjatën e fortë, në orën 17.00 prozhektorët në "Selman Stërmasi" janë për Partizani – Flamurtari me të dyja skuadrat që kërkojnë të ringrihen sa më shpejt për të mos kompromentuar objektivat, me të kuqtë që ndodhen në vendin e 6 me 36 pikë, ndërsa Flamurtari në pikiatë ka humbur goxha terren dhe pas 5 ndeshjeve pa fitore ka rrëshkitur nga vendi i dytë në të pestin, me vetëm një pikë më shumë se rivalët e kuq.