Epilogu i Kategorisë Superiore është 90 minuta larg, 90 minuta të cilat do të vendosin fatet e shumë skuadrave, përjashtuar titullin kampion të fituar nga Skënderbeu dhe rënies së Lushnjes në Kategorinë e Parë.Por, teksa Skënderbeu mbetet në pritje të vendimit të CAS-it të Lozanës për të përmbysur dënimin 10-vjeçar dhënë nga Disiplina e UEFA-s dhe konfirmuar nga Apeli i UEFA-s, duket se Kukësi, Luftëtari e Laçi do të jenë pjesëmarrësit në Europë.

Kukësi duket i destinuar për në Champions League (nëse përjashtohet Skënderbeu), por ka të garantuar pjesëmarrjen në Europa League në të kundërt. Laçi mund ta sigurojë biletën për Europa League përmes vendit të katërt në Superiore, ose përmes fitimit të Kupës së Republikës, në finalen ndaj Skënderbeut. Edhe nëse Kupën e Republikës e fiton Skënderbeu, Laçi mbetet në Europa League. Por, nëse Skënderbeu përjashtohet, atëherë vendi i katërt i kampionatit spostohet në të pestin, që do të thotë se edhe Partizani futet në Europa League.

Sa i përket mbijetesës, javën e fundit e gjithë beteja do të fokusohet në Korçë dhe Tiranë, për ndeshjet Skënderbeu-Vllaznia dhe Partizani-Kamza. Në rast fitoreje të shkodranëve ndaj kampionëve dhe humbjes së kamzalinjve në kryeqytet, Vllaznia shpëton ndërsa Kamza zbret në Kategorinë e Parë. Por, nëse Kamza barazon me Partizanin (apo fiton, pasi Partizani ka sytë vetëm nga vendimi i CAS-it për Skënderbeun) dhe Vllaznia merr 3 pikët në Korçë, do të jetë sërish Shkodra që do të vuajë fatin e keq, për shkak të sfidave direkte me kamzalinjtë.

Kamza ka fituar 1-0 në fazën e parë; është mposhtur 3-2 në “Loro Boriçi” në fazën e dytë; ndërsa dy ndeshjet e tjera të fazës së tretë e të katërt kanë përfunduar në barazim pa gola. Barazpeshë kjo që do të thotë se me golin në fushë kundërshtare, Kamza do ta rrëzojë Vllazninë, bazuar në nenin 88, pika 4, alternativa b).4. Nëse dy ose më shumë ekipe kanë grumbulluar të njëjtën sasi pikësh,renditja e tyre në tabelën e klasifikimit përcaktohet duke mbajtuar në konsideratë kriteret si më poshtë: 

a) pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse; 
b) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse; 
c) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë Kampionatit Kombëtar të Futbollit, për Kategorinë Superiore, sezoni futbollistik 2017-2018; 
d) numri më i madh i golave të shënuar gjatë Kampionatit Kombëtartë Futbollit, për Kategorinë Superiore, sezoni futbollistik 2017-2018; 
e) me short.