Asnjë suprizë në ndeshjet e kthimit të raundit të 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë, pasi të gjitha skuadrat favorite arritën të avanconin në çerekfinale. Teuta dhuroi spektakël përballë Kamzës. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë skuadra e Maganit triumfoi 4-0 në Niko Dovana me një dygolësh të Hilës dhe finalizimet e Beqajt dhe Osemenes.

Tirana e realizoi me sukses misionin "hakmarrje" ndaj Vllaznisë. Në Loro Boriçi përfundo gjithçka me fitoren 1-0 të kuqebluve të Ernest Gjokës, por bardheblutë e Ze Marias arritën të kualifikoheshin për në fazën tjetër falë suksesit 2-0 në ndeshjen e parë në kryeqytet. Derbi i Shqipërisë rezultoi një sfidë shumë e luftuar me të dyja skuadrat që e mbyllën ndeshjen me 10 lojtarë pasi në minutën e 28-të pas një përplasjeje në fushë mes Hoxhallarit dhe Krymit, arbitri Enea Jorgji i nxorri të dy futbollistët nga fusha me karton të kuq.

Pas përpjekjeve të shumta, Arlind Kalaja goditi saktë me kokë pas asistit të Çinarit duke u dhënë epërsinë vendasve. Por vetëm kaq për Vllazninë pasi shkodranët e Gjokës nuk arritën të shënonin dhe një tjetër gol që do ta çonte ndeshjen në shtesë për faj edhe të Ilion Likës që bëri disa pritje shpëtimtare.Ashtu si një vit më parë Tirana tashmë do të ketë përballë Kukësin në çerekfinale.

Verilindorët mposhtën sërish me goleadë Erzenin e Shijakut, këtë herë me rezultatin 5-1 falë një dygolësh të Koldashit dhe finalizimeve të Ethemit, Aliyev dhe Shtubinës. Në grupin A, avancuan më tej edhe Teuta e Skënderbeu që do të sfidojnë njëra-tjetrën në raundin pasardhës. Korçarët mposhtën edhe në ndeshjen e kthimit Besëlidhjen këtë herë me rezultatin 3-1 falë golave të Kelmendit që realizoi dy herë dhe James.

Në grupin B bënë detyrën Partizani, Flamurtar e Laçi ndërsa Luftëtari u kualifikua pa luajtur për mos paraqitje në kohë të Bylisit në stadiumin e Gjirokastrës. Golat e Filit, Prognit dhe kapitenit Batha i dhanë fitoren 3-0 Partizanit ndaj Pogradecit me të kuqtë që u kualifikuan më tej me rezultat të përgjithshëm 4-0 dhe tashmë do të masin forcat në çerekfinale me Flamurtarin.

Vlonjatët kaluan sërish me një tjetër goleadë Turbinën këtë herë me shifrat 5-2. Ndërkohë goli i Bizhytit nuk i mjaftoi Lushnjës me Laçin që pësoi një humbje të ëmbël pasi falë fitores 3-1 në ndeshjen e parë kaloi më tej aty ku tashmë do të ketë përballë Luftëtarin që gjithsesi më parë duhet presë vendimin e Komisionit të Disiplinës për ndeshjen ndaj Bylisit.

ÇEREKFINALET

Grupi A

Tirana-Kukësi

Skënderbeu-Teuta

Grupi B

Laçi-Luftëtari

Flamurtari-Partizani