Shpëtim Moçka nuk do të jetë më pjesë e Teutës në sezonin e ardhshëm. Pavarësisht sezonit fantastik të zhvilluar, ku vlen të përmendet goli ndaj Partizanit, portieri dhe klubi durrsak kanë ndërprerë bashkëpunimin.

Largimi i Moçës i hap vendin ish-portierit të Kombëtares, Isli Hidi i cili pritet të prezantohet me durrsakët. Hidi vjen nga radhët e Olimpiakos Nikosia dhe ka marrë "OK" nga Bledi Shkëmbi, i cili po ndërton një skuadër të denjë për sezonin e ri, e cila me shumë gjasa do të luftojë për një vend në kupat e Europës.

Trajneri Bledi Shkëmbi është i kënaqur për arritjen e akordit paraprak me portierin që ka kaluar disa vite në skuadrat qipriote, aty ku ka marrë eksperiencën e nevojshme për të qenë një lider i vërtetë. Hidi gjithashtu e njeh më së miri kampionatin shqiptar, pasi është rritur te Tirana dhe mandej është transferuar në formë huazimi te Bylisi dhe më pas u ble nga Dinamo me të cilën luajti në Europë dhe gjithashtu fitoi trofe të rëndësishëm. 

Një tjë tjetër i larguar nga radhët e Teutës është edhe mbrojtësi Dajan Shehi. 21-vjeçari nga Elbasani që është nën kontratë me Teutën dhe gjysmën e sezonit të fundit luajti te Hajduk Split, këtë herë u huazua te Kastrioti.