Teuta e sezonit të 2018-2019 do të prezantohet me një fytyrë të re, ku bregdetarët ia kanë besuar projektin e ri një ish-lojtari, pikërisht Bledi Shkëmbit. Korçari është në vitin e dytë si trajner, i cili shkëlqeu në debutim në Kosovë, ku drejtoi Lirinë e Prizrenit.

Teuta nën drejtimin e Shkëmbit, përveç afrimeve të lojtarëve, merkaton po e shfrytëzon edhe për kompletimin e stafit teknik. Mësohet se korçari dëshiron si ndihmës në stafin teknik mbrojtësin Endri Vrapi, i cili në edicionin e fundit ishte pjesë e Lirisë së Prizrenit.

Shkëmbi e njeh mjaft mirë 35- vjeçarin, pasi përveçse ka qenë për një vit trajneri i tij, ata kanë luajtur bashkë te Skënderbeu, nga viti 2010 deri në 2013, ku kanë fituar tre tituj kampion radhazi. Bisedimet janë në fazë përfundimtare dhe gjithçka mund të zyrtarizohet në fillim të javës që vjen, nëse negociatat shkojnë sipas planit. 35-vjeçari, që ka një karrierë të pasur në Kategorinë Superiore, ka qenë pjesë edhe e Teutës për një sezon, në kohën kur bregdetarët kishin një ekip pretendent për titull kampion (2006-2007).

Në atë edicion Vrapi ishte një titullar stabël, ndërsa Teuta doli në vend të dytë me Tiranën që fitoi titullin kampion. Objektivi i drejtuesve si duket është të kthejnë në skuadër lojtarë që kanë kontribuar dhe Vrapi është një prej tyre.

Endri Vrapi ende nuk ka deklaruar se e ka lënë futbollin, ndaj afrimi i tij te Teuta mund të ketë edhe një mision të dyfishtë, si një zv.trajnerlojtar. Gjithsesi, kjo mbetet të sqarohet në ditët në vijim. Më herët, si opsion për këtë pozicion është përfolur edhe ish-mbrojtësi Erbim Fagu, i cili gjithashtu ka luajtur së bashku me Bledi Shkëmbin.