Lojtari i përfaqësueses gjermane, Mesut Ozil, ka qenë kohët e fundit në shënjestrën e analistëve dhe tifozëve të vendit të tij. Mesfushori u vërshëllye gjatë ndeshjes ndaj Meksikës për shkak të fotos së tij me Erdoganin. Në fakt, nuk është kjo e vetmja arsye: Ozil nuk është pëlqyer as për faktin që nuk këndon himnin në ndeshjet me Gjermaninë. Lojtari ka thënë arsyen përse ai nuk e ka bërë dhe nuk e bën këtë gjë.

“Që kur ishim në shkollë të vegjël, kur këndohej himni, unë lutesha. Tani ndodh e njëjta gjë. Sa herë dalim në fushë dhe këndohen himnet, unë lutem. Nuk besoj se është e drejtë që të kritikohem për këtë gjë”, u shpreh lojtari për revistën “TZ” nga Soçi ku ndodhet momentalisht në prag të ndeshjes me Suedinë, ditën e shtunë, në orën 20:00.

Mesut rrezikon të qëndrojë në pankinë për ndeshjen e radhës, kjo pas një paraqitjeje jo të mirë kundër meksikanëve. Të shumtë ishin ish-lojtarët e skuadrës që e kritikuan atë për një performancë të dobët në ndeshjen e parë të “Pancerave” që u mundën 0-1.