Mesut Ozil ia ka bërë të qarta kërkesat e tij ekonomike presidentit të Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, nëse ky i fundit dëshiron shërbimet e tij. Mesfushori i Arsenalit, që është në skadencë kontrate më skuadrën e Wenger, kërkon plot 370 mijë euro në javë, një shumë ekuivalente me 19 milionë euro në vit. Një shpenzim të tillë Barcelona mund t’ia lejojë vetes vetëm nëse në janar largon Arda Turan, paga e të cilit rëndon jo pak arkat e “blaugranave”.

Përveç pagës “faraonike”, Ozil kërkon edhe bonuse të tjera. Wenger, që tashmë e ka të qartë se nuk do ta ketë lojtarin në shërbim të tij sezonin e ardhshëm, është i predispozuar që ai të arrijë marrëveshjen me Barçën, vetëm që të mos i bashkohet Jose Mourinhos te Manchester United.

Madje ekzistojnë të gjithë mundësitë që kalimi në “Camp Nou” të ndodhë që në janar, me lojtarin që do të federohej menjëherë në Champions, pasi Arsenali këtë sezon merr pjesë ne Europa League.“Topçinjtë” janë të fokusuar për t’i rrëmbyer Schalkes 23-vjeçarin Goretzka, i cili do të ishte në qendër të projektit të drejtuesve të Arsenalit.

Të njëjtin lojtar e kërkon edhe Barça, që mund t’i hapë rrugë skuadrës së Wenger nëse siguron kartonin e Ozil.