Duke parë situatën rreth presidentit kinez dhe falimentimin e kompanisë së tij “Jie Ande”, këshilli administrativ i Milanit i ka kërkuar Jonghong Li dhjetë milionë euro paradhënie nga 30 milionët që ai duhet t’i akordojë klubit për shpenzimet e fundit të sezonit.

Në rast se kreu kuqezi nuk do të arrijë të respektojë këtë kërkesë (deri më sot ka qenë tejet korrekt në çdo pagesë), do të jetë fondi “Elliot” që do të akordojë shumën e plotë.

Ndërkohë, me presidentin Jonghong Li që po kalon një periudhë financiare tejet delikate, në horizont është shfaqur miliarderi Alisher Usmanov. Mik i Vladimir Putin, me 15 miliardë euro pasuri, ai e ka ngritur perandorinë e tij përmes investimeve minerare dhe metalike dhe tashmë zotëron 29.25 për qind të klubit anglez të Arsenalit.

Një tjetër klub të cilin Usmanov e ka monitoruar është Sevija, por mësohet se nëse Milani do të dalë në shitje, ai do të përqendrojë investimin e tij në klubin e Serisë A.Përveç gjermanëve të Shalke 04, “Gazpromi” i Usmanov-it sponsorizon Zenitin e Shën Pjetërburgut dhe Ligën e Kampioneve.

Për të thuhet se është i interesuar për Milanin, me blerjen që do të lehtësohej falë marrëdhënies së tij me Paul Singer-in, drejtuesi i “Elliott Management” dhe kreditor i kinezëve në blerjen e kuqezinjtë në prillin e kaluar.

Klubi vazhdon të jetë nën pronësi të biznesmenit kinez, por gjithmonë e më të shumta janë dyshimet që karakterizojnë pasurinë e tij. Mr Li ka edhe pak kohë për të shlyer fondin amerikan (303 mln euro kredia dhe 70 mln interesat), përndryshe klubi do të kalojë në duart e këtyre të fundit, që do të mundohen ta shesin te ofruesi më i mirë.

Situata e tij ekonomike ende nuk ka shkaktuar dëme te klubi milanez, por sigurisht që në imazhin e Milanit përballë UEFA-s nuk ndikon pozitivisht.

Duke u rikthyer te Usmanovi si blerësi më i mundshëm, në orët e fundit mediat italiane raportojnë se Manjati uzbek ka shprehur gatishmërinë e tij për të ndërhyrë nëse Jonghong Li heq dorë nga “Djalli” për shkak të pamundësisë për të përmbushur të gjitha detyrimet e tij, sidomos në aspektin ekonomik.