PSG-ja nuk po i gjen dot ende një zgjidhje çështjes së gjuajtësit të penalltive, debat që lindi mes Kavanit dhe Nejmarit gjatë ndeshjes së kampionatit francez kundër Lionit.

Duke qenë se Kavani ka në kontratë një bonus prej një milion eurosh në rast se shpallet kryegolashënues i Ligës 1, ai nuk pranoi të linte Neymarin të gjuante penalltinë. Për t’i dhënë zgjidhje situatës, drejtuesit e klubit francez prej ditësh janë futur në negociata me sulmuesin uruguanian, madje i kanë ofruar atij edhe një milion eurot e bonusit, vetëm që të lejojë brazilianin të jetë goditësi i parë i penalltive.

Por sipas asaj që raporton e përditshmja spanjolle “El Pais”, Kavani e ka refuzuar këtë ofertë duke këmbëngulur që të vazhdojë të jetë ai gjuajtësi i parë i penalltive, njësoj siç ishte vendosur përpara se Neymari të transferohej në skuadër. Nga burimet e së njëjtës gazetë mësohet se futbollistët e PSG-së janë në krah të Kavanit në këtë çështje.