Kanë kaluar vetëm 8 muaj nga transferimi i Neymar te Paris Saint-Germain, por duket se në fundin e këtij sezoni do të jemi dëshmitarë të një divorci të bujshëm.

Braziliani duket se nuk është përshtatur me ambientin e ri dhe sjellja e tij ka krijuar pakënaqësi mes tifozëve, të cilët duket se kanë humbur durimin e “O Ney”. Veçanërisht pasi ky i fundit ka postuar në rrjetet sociale një fotografi ku shfaqej duke luajtur “poker”, teksa skuadra festonte titullin në fushë.

Grupi “Collectif Ultras Paris” e ka kritikuar brazilianin dhe i ka kërkuar shpjegime atij nënpërmjet një mesazhi të gjatë të postuar në rrjetet sociale:

“Pas paraqitjes së shëmtuar të lojtarëve tanë kundër Real Madrid, peripecitë e menaxhimit të një dëmtimi larg qytetit tonë dhe mungesa e respektit kundrejt tifozëve, ne i kërkojmë lojtarëve tanë RESPEKT kundrejt Paris Saint-Germain!”.

“Kemi qenë dhe do të vazhdojmë t’ju mbështesim, por nuk do të qëndrojmë duarkryq, nëse nderi i klubit tonë do të vazhdojë të shkelet me këmbë. Merreni veten, durimi i popullit kuqeblu është duke mbaruar. Allez Paris!”.