Plotësohet stafi teknik i Teutës. Bledi Shkëmbi do të ketë si bashkëpunëtorë jo vetëm Irisi Selimin e Endri Vrapin, por edhe Bledian Rizvanin. Vrapit i ishte ofruar një rol në staf dhe mbrojtësi duket se e ka pranuar me kënaqësi. Ashtu si për Vrapin, edhe për Rizvanin kjo do të jetë e para eksperiencë në fushën e trajningut. Atij i është besuar përgatitja e portierëve, ndërsa ka qenë pjesë e bregdetarëve si “gardiani” i tyre për 13 edicione dhe gjatë karrierës ka provuar një aventurë dyvjeçare tek Erzeni i Shijakut, klub ku mbylli karrierën.

Gjithashtu, durrsaku luajti edhe për gjashtë muaj te Bylisi gjatë vitit 2017, përpara se të transferohej tek Erzeni. Rizvani ka një karrierë të gjatë në Kategorinë Superiore, ndërsa ka kryer me sukses të gjitha kurset e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku është pajisur edhe me licencat përkatëse nga UEFA.

Mbeten për t’u përcaktuar edhe disa detaje, ndërsa palët pritet të nisin nga puna për projektimin e sezonit të ri. Për herë të parë, presidenti Edmond Hasanbelliu ia beson klubin një trajneri të ri, ndërsa duket se ka shumë besim te Shkëmbi dhe stafi i tij. Në fakt, ai e njeh mjaft mirë të gjithë stafin teknik, pasi duke filluar nga trajneri i portierëve e deri te trajneri i parë Shkëmbi, i ka pasur të gjithë në skuadër gjatë presidencës së tij.

Shkëmbi ka zhvilluar një takim me kreun e klubit, ku kanë folur shumë për merkaton dhe fillimin e përgatitjeve. Hasanbelliu kërkon një ekip ku baza të jetë me lojtarë shqiptarë dhe duket se gjithçka po shkon në këto “shina”. Teuta e re pritet të jetë ambicioze, me një staf që kërkon ta “revolucionarizojë” këtë klub. Deri tani janë lakuar disa emra, por afrimi i vetëm deri në këtë moment është mbrojtësi i majtë i ardhur nga Besëlidhja, Edison Ndreca.