Mund të duket ironike, por thjesht një shaka e fatit mund ta eliminojë Argjentinën që në fazën e grupeve të Botërorit. Ekziston një kombinim i tillë rezultatesh, fitore e Argjentinës me Nigerinë dhe e Islandës me Kroacinë, që i rendit të dyja skuadrat me nga katër pikë.

Rregullorja e ka të qartë se kualifikohet skuadra me rezultat më të mirë në ndeshjen direkte dhe në rast të barazimit, ajo që ka golaverazh më të mirë. Nëse edhe këtë kriter e kanë të barabartë, hyn në lojë sasia më e madhe e golave të shënuar. Nëse Argjentina fiton 2-0 me Nigerinë dhe Islanda 2-1 me Kroacinë, atëherë edhe ky kriter nuk e ndan se cila do të avancojë, sepse golaverazhin e përgjithshëm do ta kishin njësoj 4 me 4.

Në këtë pikë do të vendosë kriteri i fair play-t, pra do të kualifikohet skuadra që është ndëshkuar më pak me kartonë. Pas dy ndeshjeve të para futbollistët e Argjentinës kanë marrë tre të verdhë, ndërsa islandezët asnjë. Përllogaritja koeficientit të fair play-t është e tillë: një ndëshkim me karton të verdhë do të thotë një bonus negativ (-1), i kuqi pas dy të verdhave -3, një një karton i kuq direkt -4.

Dhe në rastin kur kemi të bëjmë me një karton të verdhë dhe më pas të kuqin direkt, -5.Tek  Argjentina aktualisht janë të ndëshkuar me nga një karton të verdhë Mercado, Otamendi dhe Acuna, të gjithë kundër Kroacisë. Rasti i ngjashëm është edhe ai i Spanjës me Portugalinë.

Nëse të dy ekipet humbin në sfidat e fundit me një kombinim të tillë rezultatesh që barazon golaverazhin e përgjithshëm, përveç Iranit, që avancon si kryesues, do të kualifikohet një mes dy përfaqësueseve iberike me koeficient më të mirë të fair play-t.