Xherdan Shaqiri transferohet te Liverpooli. Ky është lajmi që jepet tashme si punë e kryer nga mediat angleze, me mesfushorin e kombëtares zvicerane që i mbeten për të kryer vetëm formalitetet e vizitave mjekësore dhe firmës për të bërë më pas zyrtarizimin.

Është folur shumë për një kalim të lojtarit me origjinë nga Gjilani tek finalistët e Uefa Champions League pasi vetë Jurgen Klopp ka insistuar shumë ta ketë nën urdhrat e tij. Shuma që "të kuqtë" do të paguajnë në arkat e klubit të Stoke City përflitet të jetë 13.5 milionë paund, aq sa ishte dhe klauzola në kontratën e lojtarit.

Shaqiri zhvilloi gjithashtu një Botëror mjaft të mirë me Zvicrën në Rusi, ku përveç lojës fantastike, shënoi dhe golin e dytë në sfidën kundër Serbisë. Ky do të jetë klubi i 5-të në karrierë për 26-vjeçarin, pas eksperiencave me Basel, Bayern Munich, Inter dhe Stoke City. Pikërisht, eksperienca e tij e pasur ka qenë dhe një nga arsyet kryesore që gjermani Jurgen Klopp e ka dashur mesfushorin patjetër në ekipin e tij. 

Shaqiri pritet të bëjë debutimin me Liverpool në turneun që 18 herë kampionët e Anglisë do të zhvillojnë gjatë verës në Amerikë. Mbase ai do të jetë një ogur i mirë që të Kuqtë të fitojnë titullin pas gati 30 vitesh.