Pronari i Manchester City, Mansour bin Zayed bin Sultan Al Nahyan, dhe 23 miliardë dollarët e tij duan të pushtojnë botën e futbollit. Presidenti i Al Jazira, skuadra që do të luajë kundër Real Madrid në gjysmëfinalen e Botërorit për Klube, beson se mund të blejë pothuajse gjithçka që do me paratë e tij, siç është parë edhe kohët e fundit me hapjen e Muezut të Louvre në Abu Dhabi.

Gjithsesi, ai akoma nuk ka arritur të kapë majat e futbollit. Të mërkurën, ai do të ulet në krah të Gianni Infantino, presidenti i FIFA-s, dhe Florentino Perez, presidenti i Real Madrid. Por ai e di se skuadra e tij nuk do ta ketë të lehtë kundër Real Madrid, me gjigantët spanjollë që synojnë të mbrojnë titullin e fituar një vit më parë.

Mansour konsiderohet të jetë një prej tre njerëzve më të pasur në botë. 48-vjeçari është një anëtar i familjes mbretërore të Abu Dhabi dhe vëllai i Khalifa bin Zayed bin Sultan Al Nahyan. Në 2016-ën, ai bleu një fermë me 8.2000 hektarë në Valencia de las Torres, një qytet në krahinën e Badajoz.

Ai zotëron edhe 32% e "Virgin Galactic", një kompani që është pjesë e "Vrigin Group" dhe që po planifikojnë të ofrojë, për ata që do të kenë mundësi ekonomike, fluturime në hapsirë. Sheiku Mansour është një kalorës ekspert dhe president i Horse Racing Authority të Emirateve Arabe. Përveç këtyre, ai ka edhe një koleksion të pakrahasueshëm makinash, një jaht prej 180 metrash, më i gjati në botë.

Ai është edhe anëtar i Këshillit Suprem të Naftës, organi që kontrollon naftën, gazin dhe industri të tjera në Abu Dhabi. Në 2015-ën ai ka shitur 13% të Manchester City për 376 milionë euro, të njëjtën shumë që shpenzoi për ta blerë klubin anglez në 2008-ën.

Problemi është se gjithë kjo pasuri nuk po i jep atij atë që do më shumë; të kontrollojë botën e futbollit ose të paktën të ketë një skuadër që e bën një gjë të tillë. Por, duke parë marshimin e pandalshëm të ekipit të Guardiola-s, mund të thuhet se është në rrugën e duhur.

Të mërkurën, ai do të duhet të kënaqe duke parë Al Jazira-n e tij që do të luftojë me Real Madrid për një biletë në finalen e Botërorit për klube.