Ditën e martë, në ambientet e qendrës stërvitore të Realit, situata nuk ishte si më parë. Barazimi me Seltën, që u dha goditjen fatale madrilenëve në garën për titullin kampion, kërkonte patjetër një analizë të thellë. Zinedin Zidan bashkë me skuadrën bënë një mbledhje, e cila zgjati ekzaktësisht 53 minuta.

Fjalën kryesore e mbajti trajneri, i cili kërkoi reagim nga lojtarët të paktën në kompeticionet e mbetura, si në Ligën e Kampionëve dhe në Kupën e Mbretit. Trajneri francez këmbënguli se e vetmja mënyrë për të dalë nga ky moment i vështirë është puna. Zizu nuk donte të tregonte asgjë nga ajo që kishte ndodhur në mbledhje, por “El Larguero në Cadena SER” zbulon se ka pasur edhe një mesazh të qartë në drejtim të tij nga ana e lojtarëve të rinj.

Pasi fjalën e morën futbollistë si Ramos dhe Ronaldo, të cilët kanë peshë të rëndësishme në skuadër, folën edhe ata që janë afruar në këtë merkato. Emrat e lojtarëve nuk bëhen me dije, por mesazhi që dhanë ishte shumë i qartë. Me një gjuhë të moderuar, ata lanë të kuptohet se në fushën e lojës po zbresin ata që nuk japin maksimumin në stërvitje.

Diçka që u perceptua nga të gjithë, por edhe nga vetë trajneri. “Ne të rinjtë po japim maksimumin në stërvitje dhe po punojmë për të pasur mundësinë tonë të tregojmë vlerat. Kur të vijë momenti, besoj se do të bëjmë më të mirën në fushë. Por realisht, deri tani nuk kemi pasur mundësi të luajmë dhe të ndihmojmë ekipin. Besoj se në stërvitje kemi qenë po aq mirë sa të tjerët”, mësohet të ketë thënë njëri prej lojtarëve të afruar në këtë merkato.