Tashmë është zyrtare, në Botërorin Rusi 2018-të që do të zhvillohet verën e ardhshme, do të përdoret sistemi VAR. FIFA ka ndezur dritën jeshile që në kompeticionin që do të zhvillohet në Rusi të përdoret Video Asistant Referee, sistemi-video që ndihmon arbitrat për të gabuar sa më pak në vendimet që marrin.

VAR gjatë këtij sezoni është përdorur në disa prej kampionateve më të rëndësishme në Europë siç janë Serie A e Bundesliga, por edhe në FA Cup në Angli. Lajmi për zyrtarizimin e përdorimit të VAR në Kupën e Botës Rusi 2018, u dha nga numri 1 i qeverisë së futbollit botëror, Gianni Infantino.

"Ai Rusisë do të jetë Botërori i parë me VAR dhe jemi shumë të kënaqur me këtë vendim që kemi marrë", deklaroi Infantino. Lajmi në fakt po qarkullonte prej kohësh por tanimë ka ardhur edhe zyrtarizimi që do të thotë se teknologjia në futboll do të jetë gjithnjë e më shumë prezente për të shmangur sa më shumë gabimet e gjyqtarëve të cilat kanë ndikuar edhe në fatin e një ndeshjeje dhe janë diskutuar gjatë.