3 zyrtarizime në një ditë për Atleticon e Madridit. Në orët e vona të së hënës, Los Colchoneros zyrtarizuan kontratat e reja për sulmuesin Antoine Griezmann, mbrojtësin Lucas Hernandez ndërsa hodhi firmën për Atleticon e Madridit edhe Thomas Lemar i cili pritet të jetë një nga përforcimet më të rëndësishme të kësaj vere.

Udhëtimi i Gil Marin për në Rusi në vendëgrumbullimin e kombëtares franceze rezultoi më shumë sesa i vlefshëm për klubin bardhekuq. Griezmann pasi bëri me dije vendimin e tij për të qëndruar te Atletico Madrid rinovoi zyrtarisht deri në vitin 2023 me një klauzolë largimi prej 200 milionë eurosh. Nga kontrata e re sulmuesi francez do të përfitojë më shumë se 20 milionë euro në sezon, duke rreshtuar përkrah futbollistëve më të paguar në botë. 

Deri në 2024 firmosi mbrojtësi i talentuar Lucas Hernandez i cili gjithashtu është pjesë Francës në Kupën e Botës, ndërkohë që pasi arriti një marrëveshje paraprake me Monacon, Atletico arriti të firmoste me Lemar i cili pranoi të bëhet pjesë e Los Colchoneros, tashmë mbetet për t’u arritur akordi përfundimtar me klubin nga Principata.