Ka përfunduar ndeshja e parë finale e fazës Play Off në kampionatin e Volejbollit për meshkuj mes Partizanit dhe Erzenit. Sfida e luajtur në pallatin e Sportit ‘Feti Borova’, është fituar nga skuadra  shijakase, që merr edhe avantazhin 1-0 me ndeshje, ndaj Partizanit.

Sfida ishte vërtetë spektakolare dhe zgjati më tepër se dy orë, por në fund triumfoi ekipi i Erzenit, që arriti dy herë të përmbysë avantazhin me sete të Partizanit dhe i mbështetur nga fansat e shumtë që kishin ardhur nga Shijaku, në fund festoi këtë triumf.

Një ndeshje me rivalitet dhe emocione, ku tifozët e shumtë u argëtuan nga situatat e krijuara në fushë, me përmbysje të herë pas hershme të rezultatit. Loja ishte me luhatje, ku herë udhëhiqte njëra skuadër e herë tjetra, por në fund triumfoi Erzeni i drejtuar nga trajneri Arben Sako, që hedh një hap të rëndësishëm drejt titullit kampion (titullin e merr skuadra që fiton 3 nga 5 ndeshjet finale).