Me futbollin që sa më shumë kohë kalon dhe modernizohet, por që në të njëjtën kohë është shndërruar edhe në një industri marketingu, pa dyshim që lufta në terrenin e lojës nuk do të jetë vetëm sportive, por ndoshta edhe “politike”. Përveç pretendentëve dhe yjeve të ndryshëm që do të ndeshen mes tyre, si gjithmonë, në edicionet e fundit, Kupa e Botës ka qenë gjithmonë edhe një luftë mes dy markave më të mëdha të veshjeve dhe pajisjeve sportive, “Adidas” dhe “Nike”.

Dhe përveç betejës në distancë për të garantuar materialin më të fortë, imazhet më të bukura, këtë herë duket se do të ketë edhe një luftë për t’ia vështirësuar sa më shumë punën kampionëve që nuk bëjnë pjesë në “koleksionin” e tyre.Të paktën duket se është kjo ideja që ka vendosur të përdorë “Adidas”, i cili ka ekskluzivitetin e prodhimit të topit të Kupës së Botës. Sipas asaj që shkruan media angleze, konkretisht tabloidi “The Sun”, thuhet se Kristiano Ronaldo do të ketë një kundërshtar më shumë sivjet.

Bëhet fjalë për “Telstar 18”, topin zyrtar të “Rusi 2018”. Kjo sferë, me të cilën do të luhet ky turne, duket se është projektuar shkencërisht për të zvogëluar sa më shumë sasinë e ndryshimeve të drejtimit, sidomos prerjet nga lart-poshtë, ndërsa topi është në ajër.“Telstar 18”, me sa duket, është ideuar për të çaktivizuar goditjet e dënimit me efekt, pikërisht ato që di të gjuajë vetëm Kristiano Ronaldo dhe për të favorizuar kështu portierët, shumë shpesh viktima të trajektoreve të vështira për t’u llogaritur.Gjithsesi, nëse “Adidas”-i ka vendosur që t’i bëjë një puç lojtarit imazh të kompanisë “Nike”, do ta mësojmë vetëm pas pak ditësh, kur “CR7” të dalë në aksion, në fushën e lojës…