Të gjithë në ndjekje të Lewis Hamilton edhe në sezonin e ri të Formula 1. Lewis Hamilton e nisi ashtu siç mbylli sezonin e kaluar edhe kampionatin Botëror të vitit 2018-të në Formula 1, në krye të klasifikimit. Piloti anglez i Mercedesit dominoi ditën e parë të provave të lira duke regjistruar kohën më shpejtë.

Me kohën 1 minutë 23 sekonda e 931 të mijtat, kampioni në fuqi i Botës e përfundoi në vendin e parë sesionin e dytë të provave të lira duke lënë pas të gjithë rivalët e tij në pistën e Albert Park në Melbourne të Australisë, duke u konfirmuar si piloti favorit për të triumfuar në garën e së dielës.

Ai që hyri midis dy makinave të shigetave të argjendta ishte talenti i Red Bull, Max Verstappen i cili regjistroi kohën e dytë më të mirë. 2 të dhjetat e sekondës i ndanë dy pilotët e Mercedesit me Bottas që u pozicionua i treti i ndjekur nga dy pilotët e Ferrarit.

Vendi i 4-t për Kimi Raikkonen i cili la pas shokun e skuadrës Sebastian Vettel. 10-shja e parë në sesionin e dytë të provave të lira u kompletua nga Romain Grosjean, Daniel Ricciardo, Fernando Alonso, Kevin Magnussen dhe Stoffel Vandoorne, piloti debutues i McLarenit.