Nuk kanë së përfunduari telashet për ish-ikonën e tenisit botëror, rumunin Ilia Nastase, që ditën e premte është arrestuar dy herë brenda gjashtë orësh nga policia e vendit të tij, në Bukuresht. Ish-numri 1 në botë, tashmë 71 vjeç, u arrestua fillimisht në mëngjes, kur në orën 04:45 të mëngjesit poi  jepte makinës në gjendje të dehur.

“Në momentin që është ndalur nga policia ishte në gjendje të dehur, iu bë kontrolli anti-alkool dhe ai rezultoi mbi normën e lejuar. Më pas, Nastase ka fyer punonjësit e policia, që e kanë shoqëruar në komisariat”, thuhet në komunikatën e policisë.

Ai u lirua brenda orës, pasi iu hoq patenta nga policia dhe u gjobit me vlerën e 263 dollarëve për dhënie të makinës në gjendje të dehur. Por në mesditë, Nastase ka përfunduar sërish në komisariat, pasi është ndalur nga policia duke i dhënë një motori (scooter).

Ish-ikona e tenisit  botëror, ka pranuar që ka pirë birra gjatë natës dhe ka akuzuar policinë se e ka keqtrajtuar, duke e shtrirë në rrugë në mënyrë agresive. Ilia Nastase, tashmë trajner, u shpreh më tej se do të hedhë në gjyq policinë e shtetit, duke i kërkuar dëmshpërblim për keqtrajtim dhe prishje të imazhit.