Si një maratonomake e vërtetë, Volha Mazuronak fitoi garën e saj të parë në këtë disiplinë në Kampionatin Europian të Shumësportëshit, pavarësisht se ishte e mbuluar nga gjaku deri në fund të garës. Bjelloruses filloi t’i dilte gjak nga hundët që në nisje por nuk u dorëzua dhe arriti të fitonte garën duke vrapuar në kohën 2 orë e 26 minuta e 22 sekonda, në rrugët e Berlinit.

E sikur të mos mjaftonte gjaku, ajo mori edhe një kthesë të gabuar kur kishte mbetur edhe pak më shumë se një kilometër deri në fund të garës, por psërsëri arriti të dilte fitimtare. Francezja Clemence Calvin u rendit e dyta ndërsa medaljen e bronztë e mori Eva Vrabcova e Çekisë. 29-vjeçarja nuk kishte fituar kurrë më parë një garë të tillë, arritja më e madhe e saj kishte qenë vendi i dytë në garën e 5000 metrave në Lojërat Ushtarake të vitit 2015.

Ajo mban rekordin kombëtar në Bjellorusi për maratonën për femra, me kohën 2 orë e 23 minuta e 54 sekonda, të vendosur në Maratonën e Londrës dy vjet më parë.Në përfundim të garës ajo tha: “Ishte e vështirë. Papritur filloi të më dilte gjak nga hunda dhe mendova se do të pushonte shpejt, por jo. E di që duhet të jetë dukur e tmerrshme, por fatmirësisht nuk më pengoi dhe ia dola. Mendoj se gjithçka nisi për shkak të ndryshimit të motit, por më ka ndodhur edhe më parë në stërvitje dhe nuk e di pse”.

Kampionati Europian i Shumësportëshit, i zhvilluar për herë të parë këtë vit në Berlin dhe Gllasgou, nisi me 2 gusht dhe përfundoi më 12 gusht.