Milan ka pësuar humbjen e dytë të sezonit ndaj Sampdoria-s. Skuadra nga Genoa ka zhvilluar një ndeshje fantastike duke mundur me meritë Kuqezinjtë e Montella-s me rezultatin 2-0.

Ndeshja filloi me një ritëm të kënaqshëm dhe ishin vendasit ata që shfaqeshin më të rrezikshëm përpara portës së mbrojtur nga Donnarumma. Mundësia e parë e mirë ishte e Zapata-s në minutën e 14’ por ishte pikërisht portieri adoleshent ai që i mohon golin me një pritje fantastike. Milan nuk arrin të depërtojë në zonën e Sampit dhe si pasojë nuk rrezikon në asnjë moment zonën e kundërshtarit.

Ishte sëris Zapata me një mundësi të mirë afër fundit të pjesës së parë por ishte sërish Donnarumma që e ndali. Edhe pas pushimit ishte Sampdoria ekipi që kontrollonte ndeshjen duke pasur një prezencë më të madhe në fushë dhe loja e bukur u shpërblye më në fund në minutën e 72’ me golin e Duvan Zapata.

E treta e vërteta për kolumbianin i cili ndodhet në vendin e duhur në momentin e duhur për të përfituar nga një top i devijuar brenda zonës. Milan mundohet të reagojë pas golit të pësuar por asgjë nuk ndryshon, Sampdoria arrin të ruajë avantazhin duke shënuar edhe golin e nokautit në fund të takimit me ish-interistin Alvarez.